Pjesë e shkëputur nga libri ” rrugëtimi I refugjatit”-Nga ;Havë Shabanaj
Unë do të vazhdoj ta dua Kosovën, ta dua atdheun, të jem atdhetare, të jap kontributin tim, sado i vogël qoftë ai. Dua t’i tregoj gjeneratave të ardhshme se ato duhet të bëjnë diçka për shtetin sepse dëshmorët e dhanë jetën, e gjeneratat e reja duhet të mendojnë se çfarë do të bëjnë. Dëshmorët dhanë jetën për liri, e çfarë do të japin gjeneratat e reja për shtet ndërtimin?! Prandaj të punojnë, të japin kontribut me atë se çfarë dinë, të shfrytëzojnë imagjinatën, kreativitetin, përvojën dhe inteligjencën. Ta harrojnë dëshpërimin sepse ne e tejkaluam dëshpërimin edhe në luftë. Ta harrojnë varfërinë sepse ne nuk kishim as për të ngrenë në luftë dhe përsëri besuam se do të dalim fitimtarë. Ta harrojnë zhgënjimin sepse zhgënjimi i dërgon në dështim. Eh, nëse dështojnë, të provojnë përsëri sepse dorëzimi nuk është mënyra e duhur. Prandaj duhet të punojnë me besim, të krijojnë ëndrrat e tyre.
E kaluara do të jetë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme. E kaluara do të shkruhet në histori. Ne do të falim por, kurrë nuk do të harrojmë ngaqë nëse gjërat harrohen, ato mund edhe të përsëriten. Prandaj Falni por mos harroni Shkruajeni, përsëriteni, dhe përsëri rilexojeni. Botojeni, ribotojeni, mbajeni në dorë, në tavolinë, në bibliotekë, në çantë. Mbajeni ngado që të shkoni, vlerësojeni, përsëriteni tregojani historinë fëmijëve tuaj. Shkruani historinë tuaj. Secili ka një histori – të dhimbshme, të vështirë, me humbje. Më ka treguar gjyshja ime disa herë historinë e saj, për luftën. Disa herë ma ka përsëritur, porse mua ndonjëherë më dukej se po më tregon ndonjë përrallë. Prandaj shkruani, sepse gjërat që nuk shkruhen ato harrohen. /qendrapress.com/