Policia patrullon në ‘Marash’ të Prizrenit, kap në flagrancë dy të rinj me narkotikë

Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia. Dy raste të tilla janë zbuluar mbrëmë në Marash të Prizrenit, derisa policia po patrullonte në atë pjesë, shkruan Gazeta Sinjali.Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë thonë se Policia ka kapur me substanca narkotike dy të rinj, të cilët fillimisht u ndaluan nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.Dy të dyshuarit, njëri i moshës 22-vjeçare e tjetri 29-vjeçar, u kapën me qese me narkotikë, që u bënë ‘sebep’ që ata të përfundojnë në stacion policor, ku u intervistuan nga hetuesit për veprën me të cilën ngarkohen. Për shkak të posedimit të narkotikëve, pas përfundimit të dhënies së deklaratave, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast, për secilin veç e veç për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.Ndryshe, sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.