PRESIONI MBI KURTIN SI PRESION MBI KOSOVËN – Shkruan;Prof. Dr.Milazim Krasniqi
Nëse lejohet mbajtja e referendumit serb në Kosovë, konfirmohet ajo që shkruan në Kushtetutën e Serbisë se Kosova është pjesë integrale e shtetit serb.
——————————
Referendumi i 16 janarit 2022 në Serbi mbahet për ta ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Pra është një problem i brendshëm i institucioneve të Serbisë. Për këtë referendum në Serbi po zhvillohet një luftë e brendshme politike e mediatike, ndërmjet qeverisë e opozitës jashtëparlamentare, duke e instrumentalizuar para zgjedhjeve të prillit 2022. Pra, ky referendum nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën. Prandaj, nëse lejohet mbajtja në Kosovë, konfirmohet ajo që shkruan në Kushtetutën e Serbisë se Kosova është pjesë integrale e shtetit serb. Në këtë kontekst, Kjo ftesë e shteteve të Quintit për ta lejuar shtrirjen e votimit edhe në Kosovë, e nxitë iredentizmin dhe separatizmin e serbëve të Kosovës, në vend se të nxitë integrimin e tyre. Nuk e di a bëhet me qëllim të minimit të shtetit të Kosovës a nga mendjelehtësia diplomatike, por rezultati është dëshpërues në të dyja rastet. Prandaj, nuk duhet të lejohet shtrirja e atij referendumi në Kosovë, sepse e minon shtetësinë e Kosovës.
Nga ana tjetër, duket sikur presioni i shteteve të Kuintit, veçmas i SHBA-së, e ka objektiv Albin Kurtin, për shkak të perceptimit se është jobashkëpunues, refuzues. Por, në këtë rast presioni ndaj tij po shndërrohet në presion mbi shtetësinë e Kosovës. Ndërsa, thirrja e një séance të Kuvendit nga Kurti është gabim. Qeveria e ka atë përgjegjësi dhe duhet ta mbajë e jo të tentojë ta fusë nën fustanin e ndonjë institucioni tjetër. Mjafton deklarata e përbashkët e Kuvendit, presidentes dhe qeverisë, si dhe qëndrimi refuzues i partive opozitare, për ta dëshmuar unitetin në këtë çështje. Të tjerat janë vetëm tentativa për t’i ikur përgjegjësisë konkrete, që e ka ekskluzivisht qeveria Kurti 2.
Kurti duhet të mësohet me presione. Nuk ka kryeministër të një vendi si Kosova, që mund të qeverisë pa qenë nën presion. Kurti dhe qeveria duhet ta kenë të qartë se me kërkesën për lejimin e referendumit të Serbisë në Kosovë, nga shtetet e Kuintit, de facto po vihet në dyshim njohja e Kosovës si shtet. Ndonëse kjo kërkesë ka synim gjunjëzimin e Kurtit, duke i bërë atij këtë presion joproporcional me refuzimet e tij, ata e kanë vënë në pikëpyetje edhe ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës. Mjerisht, po e trajtojnë si gubernë serbe.
Na mbetet të shohim në javët në vijim se a është presioni me këtë referendum vetëm një rast i izoluar i presionit, apo është vetëm fillimi i një projekti më të përpunuar për destabilizimin e qeverisë së Kurtit dhe më tutje për ridizajnimin/federalizimin e Kosovës./qendrapress.com/