Prizreni përkujton dëshmorët dhe martirët në 26-vjetorin e Epopesë së Vërrinit.

Sot, në 26-vjetorin e Epopesë së lavdishme të Vërrinit, zyrtarë të Komunës së Prizrenit dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të nderuar dëshmorët dhe martirët që ranë për lirinë e Kosovës. Aktivitetet përkujtimore u mbajtën në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, si dhe në fshatrat Kushnin dhe Lez, ku u vendosën kurora lulesh dhe u mbajtën homazhe në nderim të tyre.

Në këtë ceremoni morën pjesë nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Antigona Bytyqi, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve lokale, të cilët theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtimit për sakrificën e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe popullit shqiptar gjatë periudhave të vështira të historisë.

Gjatë ceremonisë, u theksua se sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve mbetet burim frymëzimi dhe kurajoje për gjeneratat e reja, duke forcuar përkushtimin për ndërtimin e një shteti të fortë e demokratik, themeluar mbi gjakun dhe sakrificat e atyre që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Lavdi dëshmorëve, martirëve dhe heronjve të gjallë