Prizreni, qyteti më i preferuar për vizitorët

Shumë vizitorë nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vendet e rajonit, zgjedhin ta vizitojnë qytetin e Prizrenit.

Ka vetëm dy ditë që jemi futur në vitin e ri 2024 dhe mijëra vizitorë e shëtitën këtë qytet duke marrë edhe me vete qoftë dhe fotografi si kujtim.

Qyteti i Prizrenit, pas festave të fundvitit pret shumë mysafir nga vendi dhe rajoni. Këtë radhë vizitorët më të shumë ishin nga jugu i Shqipërisë. Kishte nga ata që vijnë për herë të parë  këtu.

“Komplet është shumë i bukur, bulevardi, pjesa e shëtitores të gjitha, është hera e parë që e vizitojmë. Zgjodhëm vetëm një ditë, por tani që e pamë që na pëlqeu shumë, do të vijmë prapë”, thotë për RTK-në Marcela Cenaj nga Lushnja.

“Nuk kishim ardhur më parë në Prizren, për herë të parë e kemi, unë vij nga Greqia, erdha kastile për të parë Prizrenin, me origjinë jemi që këtej, jemi shqiptarë mbi të gjitha, dolëm të kishim disa kujtime, do ta shikojmë, nuk diskutohet që do vijmë edhe herë tjetër”, tha Shpëtim Bajraktari nga  Fieri Shqipëri.

“Ne kemi ardhur edhe herë tjetër në Prizren, kemi vizituar muzeun, kemi parë edhe objektet e tjera, më shumë na pëlqen Prizreni i vjetër”, tha Naim Daka nga Fier.

“është një qytet i vjetër me të gjitha, ka një planimetri shumë të bukur, një mirvendosje, na pëlqen të shkojmë edhe tek kalaja”, tha për RTK-në Fehmi Qullhaj Kavajë

Padyshim bashkatdhetarët nga qytete të ndryshme të Kosovës, thonë se nuk kthehen në vendet e tyre të punës, pa e shëtitur Prizrenin.

“Në Suedi jetojmë, mirë çdo gjë është në rregull. Në muajin e 10 isha me gruan, shkum dikah, më pyetën i kahit je? I Prizrenit. Ke leshu Prizrenin ke ardh këtu? Por edhe Mitrovica e ka të vetën”, tha Irfan Hoti nga Prizreni.

“Më pëlqen shumë, janë mikpritës shumë, ushqimi më pëlqen e bëjmë një vizitë me fëmijë”, tha për RTK-në, Avdyl Krasniqi nga Prishtina.

Gjatë gjithë kohës, në ditë festash apo fundjave, objektet e trashëgimisë kulturore janë cak i vizitorëve. Sipas historianit Parim Kosova, grupet e organizuara të turistëve të huaj, me cicëron të tyre, mund ta shtrembërojnë historinë.

“Ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme, nuk dëmtojnë shumë, por ata nga vendet fqinje tonat, ata dëmtojnë shumë, ngase, historinë tonë e shtrembërojnë dhe tregojnë në bazë të interesave të platformave të tyre politike”, thotë historiani Parim Kosova.

Sidoqoftë, Prizreni mbetet i pëlqyer në dimër dhe në verë, qoftë edhe kalimthi, shprehen vizitorët.