Prokuroria Speciale hedh poshtë kallëzimin penal ndaj Totajt e të tjerëve
Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë kallëzimin penal kundër kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totajt, dhe vartësve të tij.Kallëzimi penal ishte parashtruar muaj më parë nga Lëvizja Vetëvendosje.Drejtoresha e Arsimit në Prizren , Luljeta Veselaj-Gutaj, ka paralajmëruar padi ndaj të gjithë atyre që bëjnë kallëzime penale të rrejshme.
Postimi i ploë i Veselajt-Gutaj
Të nderuar qytetarë,
nisur nga interesimi dhe spekulimet në lidhje me kallëzimin penal të LVV të datës 13.09.2022, ndaj meje si drejtoreshë e Arsimit në Prizren, Kryetarit të Komunës z.Shaqir Totaj, personelit të DKA-së, dhe personelit shkollor të përzgjedhur si drejtues shkollash, sqarojmë opinionin publik se ky kallëzim penal është hedhur poshtë nga prokuroria dhe se nuk ekziston asnjë element dyshimi se është kryer vepër penale.
I mirëkuptoj zemërimet e opozitës, sepse gjatë mandatit të qeverisjes së tyre për 4 vite, jo që nuk kanë arritur të hapin procese të rekrutimit të përzgjedhjes së menaxhereve të shkollave por edhe më keq që vitet e fundit ka pasur vetëm emërime në pozita të punës për drejtorë të cilat i kanë tejkaluar të gjitha afatet kohore ligjore dhe kanë krijuar shumë pasiguri tek qytetarët. E theksoj se sot nuk ka punësime e as largime sipas tekave të politikës apo influencës së korrupsionit siq ka ndodhur për 4 vite të keq qeverisjes së LVV.
Unë i uroj shumë suksese të gjithë aplikuesve dhe fituesve, dhe ju siguroj se asnjë pozitë nuk fitohet me akuza e as mbështetje të opozitës, pozitat fitohen me merita, garë të shëndoshë dhe transparencë në proces të ligjshëm të cilin edhe e kemi dëshmuar. Sot vendi i pozitës së drejtuesit të shkollës merret me meritë sipas kritereve ligjore e profesionale, gjë që e kemi dëshmuar pavarësisht individëve të cilët kanë provuar t’i përdorin edhe format nga më të ndryshme e më të ligat për të arritë një pozitë, po nuk ia kanë dalë dhe nuk do t’ia dalin.
Këtu ndryshon e vërteta nga propaganda, këtu ndryshojmë ne nga ata që tentonin të merrnin pozita paligjshëm përmes mbështetjes partiake. Beteja ligjore me shpifësit nuk ndalet këtu. Të gjithë ata që e shtrembërojnë të vërtetën në dëm të institucioneve do të paditen, për kallëzime penale të rrejshme dhe padi civile. Makineria e propagandës e cila të pavërtetën e shet në popull si të vërtetë duhet dhe do të ndalet njëherë e përgjithmonë. Qytetarëve të komunës tonë i kemi obligim tu tregojmë punën tonë të ndershme e ligjore dhe njëkohësisht duhet treguar natyra e shpifësit, që vetëm manipulojnë me opinion publik e asgjë tjetër.
Vetëm me drejtësi e ligj do të punojmë përherë për të mirën qytetit dhe qytetarëve tanë.
Me respekt,
Luljeta Veselaj-Gutaj
Drejtoreshë e DKA-Prizren