QKUK-ja riorganizon orarin në disa klinika me dy ndërrime, masë për uljen e listave të pritjes
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) nga gjysma e tetorit do të përqendrohet në riorganizimin e orarit të punës me dy ndërrime. Me këtë sistem, synohet që të ulet lista e gjatë e pritjes nëpër klinika. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari.
Hajdari ka thënë se ky sistem do të provohet në Klinikën e Onkologjisë, marrë parasysh ndjeshmërinë që e kanë pacientët aty. Ai ka thënë se edhe renovimet që janë bërë në këtë klinikë, japin mundësi të punohet me dy ndërrime.
“Çështja e orarit është një masë në kuadër të shumë masave dhe veprimeve të cilat i kemi marrë për ta realizuar një objektiv që është kryesisht ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, njëkohësisht shpërndarja e pacientëve për një kohë më të gjatë dhe njëkohësisht edhe cilësia e krejt shërbimit. Do të provohet në Onkologji ku orari i punës do të jetë nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 19 në mbrëmje, domethënë do të shpërndahet pacienti për 12 orë”, u shpreh fillimisht Hajdari duke treguar edhe arsyen përse është marrë ky vendim që të fillojë me Klinikën e Onkologjisë.
“Pikërisht për shkak se ofrohet një shërbim edhe konsideroj që pacientët e Klinikës së Onkologjisë janë më të ndjeshëm dhe zakonisht në mëngjes ka grumbullim të njerëzve për shkak edhe të kapaciteteve të vogla që kanë qenë në këtë klinikë. Ajo çka është bërë krejt në këtë klinikë përpos infrastrukturës fizike, janë rrit kapacitetet e shtretërve, është digjitalizuar shërbimi ku javën e parë të tetorit do të fillohet me sistemin e ambulancave ku do të regjistrohet secili pacientë, është implementuar stoku farmaceutik që ka qenë një problematikë në vete dhe si masë e fundit kemi konsideruar që edhe zgjatja e orarit në këtë klinikë do të jetë në të mirën e pacientëve, duke shpërndarë këtë fluks të njerëzve në 12 orë”, ka shtuar Hajdari.
Ai ka thënë se vendimi është marrë në konsultim me drejtorinë e Barnatores dhe të Biokimisë, për çka kërkohen shërbime nga këto klinika
“Është dakorduar edhe me drejtorin e Klinikës, me drejtoreshën e Barnatoret, me drejtorin e Biokimisë që të gjitha shërbimet të cilat ofrohen atje, të ofrohen në këtë orarin 12 orësh e cila do të fillojë në pjesën e dytë të muajit tetor”, u shpreh Hajdari.
Drejtori i QKUK-së ka thënë se zgjerimi i orarit do të fillojë edhe në disa klinika. Fokus kanë Klinikën Vaskulare dhe atë të Kardiologjisë, pasi edhe aty janë listat e gjata të pritjes.
“Natyrisht, nuk janë vendime të cilat janë marrë ad-hoc, është bërë një analizë e përgjithshme. Ne përpos Onkologjisë, do të vazhdojmë edhe me disa klinika tjera çështjen e punës me ndërrime. Ne jemi këtu për t’i shërbyer qytetarëve dhe pacientëve, kështu që edhe natyrisht edhe pakënaqësitë e stafit shëndetësor apo kudo tjetër do të jenë të menaxhueshme, për shkak se në fund të fundit edhe stafi shëndetësor por edhe ne si menaxhment jemi në shërbim të qytetarëve”.
“Do të vazhdohet ndërrimi i orarit edhe në Klinikën Vaskulare, ku ka një listë të pritjes dhe kjo është një masë në kuadër të uljes së listave të pritjes, ku do të punohet me dy ndërrime duke filluar nga 7 mëngjes deri në 19 në mbërmje dhe konsiderojmë që duplifikojmë punën, pra do të dyfishohet puna e njëjtë dhe konsideroj që në masë të madhe do të ulet edhe çështja e listës së pritjes. Do të vazhdohet në Klinikën e Kardiologjisë, më pastaj edhe në klinikat tjera të Ortopedisë e klinika tjera”, ka deklaruar Hajdari.