Rahoveci miraton deklaratën kundër aktgjykimit të Speciales.

                Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka shprehur kundërshtim ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në një deklaratë të miratuar në mbledhjen e mbajtur sot, Kuvendi i Rahovecit e ka cilësuar aktgjykimin si të papranueshëm dhe ka thënë se ai prek ndjenjën e drejtësisë dhe kujtesën e popullit të Kosovës.

Në deklaratë përmenden edhe rastet e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, për të cilët Kuvendi shprehet se janë dënuar padrejtësisht.

“Kujtesa jonë dhe ballafaqimi me padrejtësinë lidhet edhe me dënimin e padrejtë e të papranueshëm të Salih Mustafës dhe të Pjetër Shalës”, thuhet mes tjerash në deklaratën e miratuar.

Kuvendi ka deklaruar se kundërshton çdo përpjekje për të barazuar agresorin me viktimën, ndërsa ka shprehur solidaritet me familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë personat që, sipas deklaratës, e kanë përjetuar këtë proces me dhimbje dhe shqetësim.

Në deklaratë thuhet se “beteja për drejtësi vazhdon” dhe se e vërteta do të kërkohet përmes mjeteve demokratike.

Në fund, Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka përcjellë mesazhin: “JO NË EMRIN TIM! JO NË EMRIN E RAHOVECIT! LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!”

E para miratimit, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se deklarata është përgatitur në bashkëpunim me kabinetin e kryetarit, shefat e grupeve politike dhe shoqatat e dala nga lufta.

Duke iu referuar vendimit të Dhomave të Specializuara, Latifi tha se në solidaritet me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përfshirë qytetarë, bashkatdhetarë, shoqëria civile dhe përfaqësues të institucioneve.

Ai theksoi edhe rolin që, sipas tij, ka pasur Rahoveci dhe rrethina në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.

“Duke qenë se Rahoveci me rrethinë ishte dhe mbetet pjesë e pandarë me çdo qelizë e në e rrugëtimit për liri, në rrugëtimin për liri ne kemi konsideruar dhe kemi vlerësuar që është e nevojshme nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve të Komunës së Rahovecit, nga ana e asamblesë”, tha ndër të tjera Latifi/Klan Kosova/