Raporti i Avokatit të Popullit: Specialja s’po ua respekton të drejtat që u garantohen të akuzuarve në Hagë
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, më 9 nëntor të vitit të kaluar ka qenë në vizitë treditore në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku është takuar me të gjithë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen aty në paraburgim. Në raportin vjetor të vitit 2021 thuhet se gjatë kësaj vizite, në takim me kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, Avokati i Popullit ka theksuar se ka obligim kushtetues, ligjor dhe moral t’i vizitojë shtetasit e Kosovës kudo që gjenden në situata të tilla, pavarësisht faktit se ka mandat të kufizuar me ndryshimet kushtetuese e ligjore.Avokati i Popullit vëren se në kuadër të legjislacionit të Dhomave të Specializuara, me të drejtë i është dhënë vend i posaçëm mbrojtjes së viktimave dhe është me shumë rëndësi që garancitë për mbrojtjen e të drejtave themelore për viktimat të jenë të vendosura në qendër të funksionimit të autoriteteve, me qëllim që këto garanci të sigurojnë mbrojtje të plotë të viktimave.Tutje në këtë raport thuhet se Neni 23 i ligjit përcakton “Rregullat e Dhomave të Specializuara për procedurën dhe provat e parashikojnë mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve, përfshirë sigurinë, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dinjitetin dhe privatësinë e tyre. Këto masa mbrojtëse i përfshijnë, por nuk limitohen, mjetet që janë të përcaktuara në nenet 221-226 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, Ligji nr. 04/L-123, nenet 5-13 të Ligjit nr. 04/L-015 për mbrojtjen e dëshmitarëve, zhvillimin e procedurave me dyer të mbyllura, paraqitjen e provave me mjete elektronike ose mjete të tjera të veçanta, dhe mbrojtjen e identitetit”.Raporti i Avokatit të Popullit thotë se nuk ka informim të duhur sa u përket të drejtave të viktimave në proceset gjyqësore dhe kjo do të jetë detyrë e autoriteteve që në të ardhmen të organizojnë fushata me qëllim të informimit të publikut për këtë çështje.Me kërkesë të Avokatit të Popullit, më 9 prill 2021 është mbajtur takim pune me Avokatin e Popullit të Dhomave të Specializuara, ku ishte planifikuar të diskutohej për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen në shkëmbimin e informatave, për ankesat e pranuara, vizitat e bëra në objektet e paraburgimit dhe nëse është përgatitur ndonjë raport nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara.Në këtë takim nga ana e Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Avokatit të Popullit të Kosovës nuk i është ofruar asnjë informatë, edhe pse kishte pasur pajtim paraprak për temat, me justifikimin se janë informata konfidenciale.Neni 223 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, Ligji nr. 04/L-123, thotë se kur masat mbrojtëse nga neni 222, paragrafi 1, i këtij kodi janë të pamjaftueshme për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarit, i cili është propozuar nga mbrojtja, në rrethana të jashtëzakonshme gjyqtari kompetent mund të urdhërojë anonimitet, ku dëshmitari të cilin e ka propozuar mbrojtja mbetet anonim për publikun, të dëmtuarin dhe përfaqësuesit e tij ligjor ose përfaqësuesit e autorizuar.