Reshitaj, Konjufcës: S’vij në Kuvend për mëditje, jam këtu për popullin

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj ka reaguar pasi që kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca i rekomandoi administratës së Kuvendit të mërkurën që asaj t’i hiqet mëditja me arsyetimin se qëndroi në Kuvend vetëm 10 sekonda.

Reshitaj e ka mohuar një gjë të tillë gjatë fjalimit të saj në seancës e Kuvendit, duke theksuar se “nuk është deputete e mëditjeve”.

“Nuk jam unë deputetja e mëditjeve zotëri kryetar. As për mëditje, as për rrogë nuk vijë në këtë kuvend. Besoj e dini profesionin dhe investimin tim 17 vjeçar për të pas një rrogë shumëfish më të madhe se kjo që marr në këtë kuvend. Unë jam këtu për popullin dhe qytetarëve dhe nuk ke të drejt të më ofendosh publikisht. Unë nuk marr mëditje, për dy mandate vetëm njëherë jam përkrahur nga Kuvendi”, tha Reshitaj.