Rilind Fetahu nxënësi nga Dragashi që mori 94 pikë në Testin e Maturës

                              Disa nxënës kanë arritur mbi 90 pikë në Testin e Maturës.

Një prej tyre është edhe Rilind Fetahu, nxënës i shkollës së mesme të lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash Këtë e ka konfirmuar për ‘Albanian Kids Education’ vet Rilindi, i cili thotë se ky rezultat për të ka qenë i pritur.“Rezultati prej 94 pikësh në testin e Maturës ishte i kënaqshëm, por edhe i pritshëm. Pas përgatitjeve pothuajse dyvjeçare çdo ditore kam arritur të parashikoja me saktësi se do plotësoja mbi 90% të kërkesave. Falënderoj profesorët e shkollës së mesme ‘Ruzhdi Berisha’, pa kontributin e të cilëve nuk do të ishte i mundur një rezultat i tillë”, ka thënë Rilindi për Albanian Kids Education.

Ai thotë se në këtë rrugëtim, shkolla e mesme “Ruzhdi Berisha” luajti një rol jashtëzakonisht të madh.

“Periudha e shkollës së mesme, si për shumicën e njerëzve edhe për mua ishte mjaft interesante. Ishte një periudhë me shumë ngritje dhe ulje, si dhe një mundësi për gjetjen dhe njohjen e vetes në aspektin akademik. Interesimi im për shfrytëzimin maksimal të shkollës së mesme për përgatitje të testit të Maturës dhe sfidave tjera për regjistrim në Universitet filloi qysh në klasën e dhjetë, kur vërejta se pëlqimi që kisha për lëndët shkencore dhe ato mjekësore ishte tregues i qartë për rrugën që doja të ndiqja”, ka thënë Rilindi për Albanian Kids Education.