Rreziku afatgjatë i krijimit të komunave në baza etnike-Shkruan; Agnesa Thaçi-KUREJSHI

         Mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe ofrimi i mundësisë për zhvillimin e jetës lokale në mënyrë më të fokusuar për një grup të caktuar etnik mund të jetë një mënyrë për të ruajtur stabilitetin dhe për të përmirësuar pjesëmarrjen e pakicave në administratë dhe zhvillim të vendit. Megjithatë, formimi i një komune boshnjake brenda Kosovës mund të përceptohet si një shqetësim territorial… sepse ky proces e ka potencialin për të ndryshuar ndarjet aktuale të territorit të Kosovës. Në anën tjetër çështja e ndarjes etnike dhe krijimi i komunave e bazuar në grupe etnike është një temë delikate dhe mund të ngjallë shqetësime për stabilitetin dhe unitetin territorial të shtetit.

Në rastin e Kosovës, formimi i një komune boshnjake mund të shihet sikur një hap drejt ndarjes etnike të territorit ose një zone të veçantë për një grup etnik e që mund të ngrit shqetësime rreth integritetit territorial të Kosovës si dhe do të qojë drejt kërkesave të reja për krijimin e komunave të tjera etnike. Kjo nga jashtë mund të shihet si tentim për ndryshim të kufinjëve të brendshëm si dhe dëmtim i përpjekjeve për të mbajtur një shoqëri të integruar dhe multietnike.

Përveç tjerash tendenca për krijimi i një komune boshnjake brenda Kosovës do të krijonte një precedent që mund të përdorej si argument nga grupe të tjera etnike për kërkesa të ngjashme gjë që mund të çojë në një fragmentim të mëtejshëm administrativ dhe një ndarje më të madhe etnike brenda vendit e që lë hapësirë për debate mbi ndryshime kushtetuese ose ligjore. Në anën tjetër, një precedent i tillë mund të forcojë argumentin e serbëve të Kosovës për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca të zgjeruara e që mund të shfrytëzohet nga Serbia për të kërkuar më shumë autonomi për komunat serbe, gjë që është një temë shumë e ndjeshme në negociatat ndërkombëtare.

Andaj, krijimi i një komune boshnjake nuk është vetëm një çështje e të drejtave të pakicave, por edhe një vendim me pasoja të mundshme afatgjate për strukturën territoriale dhe politike të Kosovës. Prandaj, ky proces duhet të trajtohet me kujdes dhe të merr në konsideratë efektet që mund të ketë në të ardhmen veçanërisht në raport me kërkesat e tjera për komuna të reja mbi baza etnike./QendraPress/