SERBIA – NJË SHTET KUKULL I SHËRBIMEVE SEKRETE RUSE? Shkruan;Prof .Dr.Milazim KRASNIQI

0

Zdërhallja nacionaliste e qarqeve qeveritare dhe opozitare në Serbi, këto ditë ka marrë përmasat e një gare se kush do të pështyjë më fort edhe në vetë fytyrën e Serbisë. Megjithëse pjesëmarrës në këtë garë perverse ka shumë, kryeministri Vojisllav Koshtunica, lideri i opozitës, Tomisllav Nikoliqi dhe komandanti i Gardës së Car Llazarit, Haxhi Miliqi, tash për tash janë kryesuesit e saj.

Në këtë mes, propozimi i Nikoliqit që të vendosen bazat e Rusisë në Serbi, është pa dyshim shembulli më flagrant i nënçmimit që një politikan i bën, në rend të parë, vendit të vet. Kërkesa që një vend sovran të bëhet strofkë e ushtrisë së një vendi tjetër, pa pasur ndonjë lidhje kontraktuale në një aleancë më të gjerë mbrojtëse, është e barabartë me tradhti kombëtare, sepse sigurinë e vendit e lë në dorë të një ushtrie të huaj. Ndërsa, në rastin konkret, kur ombrella e Aleancës Veriatlantike (NATO-s), është e hapur mbi gjithë rrethimin e Serbisë, futja e bazave ushtarake ruse në Serbi, do ta bënte atë vend dele të zezë të mbarë Evropës, gjë që pashmangshëm do ta bënte edhe të vuante pasojat e çregullimit gjeostrategjik. Serbia e vogël dhe e varfër, nuk ka asnjë gjasë të përballet me ombrellën e NATO-s, meqë me të nuk ka arritur të përballet as vetë Rusia, madje as në kohën kur ka drejtuar një federatë të madhe shtetesh, Bashkimin Sovjetik. Por, politikanë aventurierë të Partisë Radikale Serbe, nuk ua kanë ngenë analizave logjike. Pas konfederatës me Bjellorusinë që e propozuan në vitin 1999 dhe e cila u bë hi e pluhur nga intervenimi i NATO-s mbi Serbinë, ata nuk kanë nxjerrë ndonjë mësim. Përkundrazi, tash propozojnë ta instalojnë ushtrinë ruse në zemër të Ballkanit, kur i tërë Ballkani, përveç Serbisë, tashmë është i orientuar drejt integrimeve euro-atlantike.

Ndërsa, kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, bën garë në fyerjen sa më të rëndë ndaj NATO-s, me çka vetëm sa ia keqëson pozitën shtetit të vet. Në deklaratat më të reja, para nisjes për në Nju Jork, ai ka deklaruar se NATO po e krijon shtetin e saj në Ballkan dhe se kryeqyteti i këtij shteti të NATO-s, do të quhet Bondstill. Po të fliste kështu kolumnisti, do të konsiderohej se ka bërë një teprim stilistik në përpjekjet e veta për të qenë sa më atraktiv. Por, kur flet kështu kryeministri i një shteti, kjo ka të bëjë me një politikë provokuese dhe luftënxitëse. Mirëpo, Serbia dhe Koshtunica vetë, e kanë përjetuar konfliktin me NATO-n vetëm para tetë vjetësh dhe kanë dalë të turpëruar e me nënshkrimin e një kapitullimi në Kumanovë, pikërisht aty ku ushtria serbe në Luftën e Parë Botërore, kishte korrë fitoren (në të vërtetë ushtria serbe ka qenë vetëm pararojë e ushtrisë franceze), e cila ia kishte hapur udhën për ripushtimin e Kosovës.

Edhe pse nuk është një konkurrues i fortë në këtë garë të zdërhalljes irracionale nacionaliste, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, luan lojën e klounit, duke u përpjekur që me truqe naive t’i hedhë hi syve bashkësisë ndërkombëtare. Ideja e tij që Serbia të mbajë Kosovën dhe njëherësh të integrohet në Evropë, është joreale. Tashmë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të mëdha të Evropës, Havier Solana, Oli Ren, Sarkozi, Gordon Braun, kanë thënë se Serbisë do t’i ofrohet integrimi i përshpejtuar në Bashkimin Evropian, si kompensim për Kosovën. Por, Boris Tadiqi, shtiret sikur nuk i dëgjon këta zëra të qartë.

Për shkak të politikanëve të tillë, fanatikë e të papërgjegjshëm, sot në skenën e Serbisë paraqet kandidaturë për president edhe komandanti i “Gardës së car Llazarit”, ultrafashisti Haxhi Miliq, i cili publikisht ka deklaruar se forcën e tij paramilitare e ka krijuar shërbimi sekret rus. Por, me deklaratat e Haxhi Miliqit, pamja e realitetit politik serb bëhet më e plotë. Rezulton se Serbia është një shtet-kukull, në duart e shërbimeve sekrete ruse, të cilat luftën e humbur me Perëndimin në vitet nëntëdhjetë, duan ta simulojnë edhe një herë në Ballkan, ku Serbinë e kanë zgjedhur si edh të flijimit të vet. Duket sheshit se Koshtunica kur flet për Kosovën “si shtet të NATO-s në Ballkan”, bën përpjekje të justifikojë shndërrimin prej tij të Serbisë në një shtet-kukull të KGB-së në Ballkan. Po të ishte kryeministër i vërtetë i një shteti sovran, nuk do të mund të ndodhte që Haxhi Miliqi të komandonte nëpër Serbi formacione paraushtarake të formuara nga KGB-ja. Po të ishte kryeministër i vërtetë, nuk do të ndodhte që Tomisllav Nikoliqi të angazhohej për shndërrimin e Serbisë në një shtet vasal të Rusisë. Jo vetëm kaq, por edhe të kandidonin që të dy për president të Serbisë.

Në këtë situatë tragjike, serbët kanë nevojë urgjente më shumë se kurrë që ta rilexojnë tregimin e Radoje Domanviqit, “Udhëheqësi”, në të cilin përshkruhet se si një i verbër e udhëheqë popullin serb. Fatkeqësisht, për ndryshim nga tregimi i Domanoviqit, ku përshkruhet një udhëheqës i verbër, tash udhëheqësit e verbër në Serbi janë shumëfishuar.

18 dhjetor 2007

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *