Shënohet “Java Botërore e Zemrës, Obeziteti dhe Ushqyerja e shëndetshme”
Në kuadër të shënimit “Java Botërore e Zemrës, obeziteti dhe ushqyerja e shëndetshme” në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa” në Prizren janë duke realizuar disa aktivitete informuese. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, dhe me qëllim rritjen e njohurive për shëndetin e zemrës, obezitetin dhe ushqyerjen e shëndetshme, të enjten, është organizuar takimi i profesionistëve shëndetësorë me pacientë, përfaqësues të OJQ-ve dhe shoqërisë civile. Ligjërues dhe panelistë ishin Dr. Hasan Arzoallxhiu, drejtor mjekësor, Dr. Ali Nallbani, kardiolog, dhe Valton Saiti, endokrinolog. Dr. Hasan Arzoallxhiu, drejtor mjekësor, takimin e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë për informimin e popullatës lidhur me njohuritë e sëmundjeve të zemrës dhe obezitetit, komplikimet e mundshme dhe mënyrat e parandalimit të tyre. “Ky takim ka për qëllim informimin e OJQve, shoqërisë civile dhe popullatës lidhur me komplikimet e mundshme të sëmundjeve të zemrës, si dhe mënyrën se si mund të prevenohen këto komplikime duke rritur vetëdijen qytetare të pupllatës. E tërë kjo do të rezultojë me përmirësimin e kualitetit të përgjithshëm të shëndetit dhe kujdesit të popullatës”, – tha dr. Hasan Arzoallxhiu, drejtor mjekësor. Ai ka përmendur edhe angazhimet e menaxhmentit të spitalit për ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe të shpejta shëndetësore. “Nga data 14 qershor 2024 në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren është funksionalizuar edhe Laboratori i Kateterizimit. Deri më sot janë kryer 180 koronografi dhe 87 stentime. Të gjitha rastet janë kryer me sukses dhe nuk ka pasur komplikime të pacientëve të trajtuar”, – theksoi drejtori mjekësor, Dr. Hasan Arzoallxhiu. Dr. Ali Nallbani, kardiolog, trajtoi temën “Sëmundjet e zemrës, komplikimet dhe masat preventive”, ndërsa dr. Valton, Saiti, endokrinolog temën “Obeziteti dhe ushqyerja e shëndetshme si faktor i rëndësishëm për shëndetin”. Pas ligjëratave është zhvilluar bashkëbisedim me përfaqësues të OJQ-ve dhe shoqërisë civile, lidhur me ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe veprimet e nevojshme në rast të komplikimeve të sëmundjeve të zemrës. Aktiviteti kishte për qëllim synimin për përmirësimin e kualitetit të shëndetit dhe kujdesit shëndetësor të popullatës. /www.QendraPress.com/