Shoqata e pacientëve, letër Hotit: 18% e popullatës për shkak të vështirësive financiare nuk marrin shërbime shëndetësore fare
Shoqata e pacientëve i ka dërguar letër kryeministrit Avdullah Hoti, ku theksojnë se mbulimi universal shëndetësor është një prej Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndërsa sipas tyre Kosova është larg realizimit të këtyre objektivave dhe larg mbrojtjes së secilit qytetar të saj.Siç thuhet në letër, e ku i referohen Raportit të progresit të vitit 2018, 1/3 e popullatës nuk i merr shërbimet e nevojshme shëndetësore, ndërsa 18% e popullatës, për shkak të vështirësive financiare nuk marrin shërbime shëndetësore fare.
“Kjo shtresë e popullatës në kushte ‘normale’ të Kosovës kanë vdekur në heshtje pa u hetuar fare nga sistemi, sot në kushte pandemie, armata e këtyre fatkeqëve vetëm sa është shtuar dhe mjerimi i tyre vetëm sa është thelluar”, thuhet në letër.
Sipas Shoqatës së Pacientëve, rasti i pandemisë COVID-19, ka treguar më së miri që sektori i shëndetësisë nënkupton më shumë se shëndet dhe se investimi në shëndetësi është investim edhe në ekonomi, edukim, etj.
“Kanë kaluar dy dekada nga lufta dhe Kosova po vazhdon ta ketë një sistem shëndetësor të emergjencës së pasluftës. Me gjithë nismat për reformim të sistemit, po bëhen tetë vite nga miratimi i Ligjit për Shëndetësi dhe reforma nuk po fillon. Pacienti ynë nuk e ka të përzgjedhur mjekun e vet sipas ligjit; nuk është implementuar koncepti i mjekësisë familjare, etj. Po bëhen shtatë vite të Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe akoma mbulimi me sigurime nuk shihet në horizont”, thuhet më tej.
Duke u nisur nga këto dhe shumë fakte të tjera, shoqëria civile ka ardhur në konkludim se Kosova duhet të kalojë nga “sistemi shëndetësor i orientuar në sëmundje” në “sistem shëndetësor të orientuar në pacient”.
Në këtë letër ku janë të nënshkruar disa organizata kërkohet që të fillohet pa vonesë reforma në sistemin shëndetësor; të krijohet një sistem që prodhon të dhëna shëndetësore të krahasueshme ndërkombëtarisht, me fokus të veçantë në Sistem të Integruar të Informimit Shëndetësorë (SIISh), Kontabilitet Shëndetësor Kombëtarë (KoSh) dhe Raporte të standardizuara të punës për të gjitha institucionet shëndetësore; të hartohet strategjia kombëtare për shëndetësi (Të themelohet Komiteti Kombëtar për Shëndetësi i cili do të përbëhet nga të gjitha grupet e interesit, përfshi edhe shoqërinë civile).
Po ashtu është kërkuar të përgatiten institucionet shëndetësore dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për kontraktim të shërbimeve dhe implementim të Ligjit për sigurime shëndetësore; të fillohet me kontraktim të shërbimeve dhe jo mbledhje të premiumeve, etj.