Smajl Latifi nderohet me medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”

                       Në ditën e daljes publike të UÇK-së në Pashtrik, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar familjen e të parit të komunës së Rahovecit, Smajl Latifin, me ç’rast edhe i ka ndarë medaljen me motivacionin për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare shqiptare, “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”.Për këtë nderim, kryetari Latifaj e ka falënderuar Haradinajn për gjithçka që ka bërë për Kosovën dhe kombin shqiptar.

Falënderimi i plotë i Latifit:

Sot, në familjen tonë në Ratkoc, e pritëm për vizitë mikun e çmuar të shtëpisë, gjeneralin e luftës, ish-kryeministrin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili më nderoi me medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut në çështjen kombëtare.Ramushin e falënderoj për gjithçka që ka bërë për Kosovën dhe kombin shqiptar. E gjithë jeta e tij karakterizohet nga sakrifica të përhershme për ta bërë më të mirë e më të përparuar shoqërinë e kombin tonë. Nuk ndalet as sot, është aktiv, energjik dhe me vullnet të çeliktë për të vepruar kur është në pyetje interesi shtetëror e kombëtar..Padyshim se në historinë e Kosovës, Ramushi sikurse e gjithë Familja Haradinaj, përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme të përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për çlirim nga robëria. Sakrifica sublime e Haradinajve, sikurse e gjithë heronjve dhe dëshmorëve të lirisë, do të nderohet për jetë dhe do të frymëzojë gjeneratat që do të vijnë.Jam i nderuar dhe i lumtur që rrethanat dhe qëllimet e përbashkëta kombëtare, por edhe idetë tona dhe konceptet e ngjashme politike, bashkuan rrugët tona politike dhe i hapën shteg edhe një miqësie të vlefshme, që unë e çmoj shumë.Faleminderit që na nderove, Ramush!