Sot dihet data e zgjedhjeve? Osmani takon pasdite liderët e partive politike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot pret përfaqësuesit e subjekteve politike, takim ky që pritet të nisë në ora 14:00, e ku temë diskutimi do të jetë data e zgjedhjeve parlamentare.
Presidentja e vendit në letrën që i ka shkruar kryeministrit Albin Kurti thuhet se zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen në periudhën nga 26 janar – 16 shkurt të vitit 2025.
Partitë politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Nga Lëvizja Vetëvendosje i pranishëm në takimin me Osmanin pritet të jetë nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Pjesëmarrjen në takimin e kanë konfirmuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkaq, ditë më parë njohësi i procesit zgjedhor, Eugen Cakolli ka thënë se zgjedhjet e rregullta parlamentare mund të mbahen në periudhën, nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit të vitit 2025.
“Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të nëntorit, për ta caktuar ndonjërën prej këtyre datave”, ka pohuar ai.
Ai ka shtuar se “zgjedhjet, më herët se në janar, mund të jenë veç të parakohshme – pas shpërndarjes së Kuvendit (me 2/3 e votave) apo rënies së qeverisë (përmes mocioneve apo dorëheqjes së KM)”. /Telegrafi/