Sqarim për opinionin publik nga DKA –PRIZREN-Nga ;Drejtoria e DKA-Prizren-Drejtoresha-Luljeta Veselaj-Gutaj
![](https://qendrapress.com/wp-content/uploads/2023/09/377426317_779786314156219_2690583952697734488_n-1024x768.jpg)
ShFMU “Mati Logoreci” është një ndër shkollat më të vjetra të Prizrenit. Meqë graviton në lagjen e përzier etnike, aty mbahet mësimi në disa gjuhë mësimore, përfshirë gjuhën rome si gjuhë fakultative. Me vite të tëra aty është zhvilluar mësimi plotësues, pas hapjes së Qendrës Mësimore, që ka për qëllim përkrahjen e nxënësve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë. Aty janë zbatuar edhe shumë projekte për përkrahjen e nxënësve të këtyre komuniteteve. Është numri i madh i OJQ-ve, politikanëve, diplomatëve madje edhe euro-deputetëve që përkrahin nismat dhe projektet për integrimin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në këtë shkollë. Me gjithë këtë vëmendje dhe punë, është e pamundur që të merren veprime në disfavor të këtyre komuniteteve.
Në këtë shkollë, dhe në asnjë tjetër, NUK ka ndarje etnike, NUK ka klasa të një etnie, ka vetëm klasa të integruara sipas ligjeve në fuqi. Por mund të ketë ndonjë prindër të cilët kanë mendësi paragjykuese, stereotipe dhe diskriminojnë. Kjo do të thotë se si shoqëri nuk kemi punuar mjaft që të respektohen të drejtat themelore të njëri-tjetrit. E dënojmë aktin dhe veprimet e prindit që tërheq dokumentacionin e fëmijës me arsyetim se nuk do që fëmija i tij të jetë në një klasë me fëmijë të etnisë tjetër. Këtë veprim duhet dënuar e gjithë shoqëria dhe diskriminime të këtilla nuk guxojnë të ndodhin. Ka edhe mësimdhënës klasorë të cilët ndikohen nga rënia e numrit të nxënësve dhe pamundësohet krijimi i klasës së re. Meqenëse ligjshmërisht jemi të obliguar ripostimin në detyrë tjetër të mësimdhënies, mësimdhënësit e tilllë mbesin të pakënaqur, nuk pranojnë ripostimet, dhe thërrasin media për ta shndërruar pakënaqësinë e tyre në probleme (të paqena) në nivel vendi, me të cilën gjë nuk fitojnë asgjë. Loja e letrës me prapavijë etnike është më e ndieshmja me të cilët është tentuar të lozet në këtë rast.
Kjo shkollë është institucion arsimor, dhe institucioni nuk diskriminon në bazë etnike. Sistemin e tillë të diskriminimit institucional e kemi provuar në lëkurën tonë, dhe është derdhur shumë mund e gjak për të krijuar institucionet që i kemi, kurrë më me tendenca e veprime diskriminimi. Themelet e këtij shteti jemi duke i ndërtuar të gjithë së bashku: shqiptarë, turq, boshnjakë, romë, ashkalinjë, egjiptianë, kroatë e të gjitha etnitë tjera.
Faleminderit për vëmendjen!
Me respekt,
Drejtoria e DKA-Prizren
Drejtoresha-Luljeta Veselaj-Gutaj