Autonomia, si e fitojnë fëmijët besimin tek vetja…/Shkruan; Ervina TOPTANI

Çdo fillimviti shkollor në Shqipëri, më rikthen dhe mua tek e dikurshmja ime prej zyshe. Duke uruar mbarësi për të gjithë fëmijët në bankat e shkollës, po ndaj me ju, si ish mësuese e ish pedagoge, rezultatin e një bisede me tim bir, adoleshent tashmë, me të cilin shpesh kemi diskutime mjaft të arsyeshme për t’i ardhur në ndihmë në fazën delikate të moshës që ka, por duke i dhënë hapësirën e nevojshme për veprim.

Nuk e di sa mosmarrëveshje ka në familjet shqiptare për mënyrën e edukimit të fëmijëve, do më duhet të bëja një sondazh për të ditur një të përgjithshme. Nëse faji apo pakënaqësitë për sjelljet e fëmijëve, për rezultatet në mësime, i vihet nënës si edukatorja kryesore apo nëse dhe baballarët e fajësojnë veten duke qenë të ndërgjegjshëm që ndoshta dhe ata nuk e kanë kryer detyrën siç duhet. Si është ky raport tek prindërit shqiptarë? A e mendojnë se çfarë ata japin, secili nëna dhe babai, është harta kryesore që fëmija ka si model e sa të duhura e të arrira janë “hartat” e prindërve shqiptarë, në raport me ambientin ku i rrisin fëmijët dhe ruajtjen e lirisë personale të mendimit të fëmijës së tyre?

Autonomia dhe pavarësia e individit janë në thelb të lidhura fort me njëra tjetrën, por rrënja e tyre etimologjike tregon një ndryshim thelbësor mes tyre: pikësëpari në pikëpamjen linguistike, pavarësia është e kundërta e varësisë ndërsa autonomia është diçka më shumë. Rrjedh nga fjala greke “autós”, vetja dhe nga nómos “rregull, ligj”, kështu që për të qenë autonom një adoleshent duhet të ketë absorbuar në thellësi të vetes një sistem rregullash për të jetuar në një mënyrë të pavarur.

Për ta ndihmuar fëmijën të maturohet, të jetë i përgjegjshëm, e të ketë kapacitetin autoqeverisës ose autodrejtues, prindërit duhet të bëjnë detyrën që nuk e bën dot askush tjetër për ta: t`u “hartojnë një guidë”, që do të thotë t`u mësojnë atyre një mori principesh drejtuese me të cilat adoleshentët të përpiqen t’u japin zgjidhje problemeve e të ruajnë mënyrën e tyre të të menduarit, pra origjinalitetin në arsyetim, duke ruajtuar njëkohësisht normat e duhura të sjelljes.

Kam njohur plot prindër që kanë ushtruar kontoll të rreptë tek fëmijët, por në rastin e adoleshentëve, ky shtrëngim sjell mjaft pasoja. Ata nuk mendojnë më vetë për mënyrën dhe motivin sesi duhet të sillen në botën që i rrethon. Tentojnë t`i binden modelit ndonjëherë për të “hequr qafe” detyrimin me prindërit (bëra ashtu siç më the) e ndonjëherë sepse është i vetmi model që njohin, duke pasur frikë të thyejnë rregullin e kërkuar për të mos patur pasoja negative me prindërit. Zgjedhja e tyre kufizohet vetëm në atë që duhet t`i binden rregullave që u kërkojnë prindërit ose jo.

Por kam parë e kam qenë prezente në jetën e shumë adoleshentëve (duke qenë unë vetë për vite me rradhë mësuese e pedagoge) se nëse atyre u jepet më shumë kontroll mbi mjedisin që i rrethon ata, jashtë sferës tonë të ndikimit, mundësia që ata të ndërmarrin vendime të shkëlqyera është shumë më e madhe pikërisht duke u bazuar tek rregullat të cilat u janë mësuar me shembuj personalë e jo me fjalë.

Autonomia sjell autonomi e si pasojë edhe përgjegjshmëri por që të vijmë tek autonomia e shëndetshme dhe në sintoni me principet e shëndosha duhet që prindi t`ia ketë ushqyer këto fëmijës që në moshë mjaft të hershme. Kur fëmijët bëhen të ndërgjegjshëm se janë zotër të ambientit të tyre, pra e kontrollojnë vetë veten, kanë dëshirë të ushtrojnë edhe më shumë kontroll mbi pjesë të tjera të jetës së tyre duke dashur të bëhen edhe më të përgjegjshëm.

/www.qendrapress.com/