Subjektet politike kërkojnë që presidenti të zgjidhet nga populli

0

Partitë politike në vend, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, po kërkojnë që presidenti në të ardhmen të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.


Megjithëse s’po gjejnë pajtueshmëri që kreu i shtetit të zgjidhet në këtë legjislaturë, LDK, PDK dhe AAK dakordohen që në kuadër të reformës zgjedhore të bëhen edhe ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. E gjithë kjo për t’iu shmangur, siç thonë krizave politike që vazhdimisht po sjell zgjedhja e të parit të vendit. Por me këto vlerësime nuk pajtohen në partinë e Albin Kurtit dhe nga shoqëria civile.

Deputeti i LDK-së, njëherësh kryetar i komisionit për legjislacion, Shkëmb Manaj thotë se mos konsensusi për presidentin po sjell kriza të vazhdueshme në vend.

Sipas tij, partitë politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët që presidenti i vendit në të ardhmen të burojë drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve.

“Urgjentisht të gjitha subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvend duhet të ulen dhe të mendojnë seriozisht për reformën zgjedhore dhe Kushtetuese. Përfshinë e plotësim-ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, por edhe ligjet për zgjedhje të përgjithshme dhe lokale. Unë mendoj që është mirë të shikohet se në kuadër të reformës zgjedhore që të bëjë vendi ynë, presidenti i Republikës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët e Kosovës sepse edhe kompetencat çfarë i ka si unifikues, do të ishte mirë të burojë drejtpërdrejte nga populli i Kosovës dhe pastaj të mos kemi probleme. Ju po e shihni se nëse nuk po arrijmë të zgjedhim presidentin e Republikës kjo po afekton edhe në qeverisje dhe rrjedhimisht te shpërndarja e Kuvendit”, thotë ai.

Me një qëndrim të tillë pajtohet edhe deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha, e cila thotë se zgjedhja e presidentit nga qytetarët tashmë është kërkesë e kohës.

“Mendoj që është një kërkesë e kohës që të mendohet që presidenti, ose presidentja të zgjidhet direkt nga qytetarët e Kosovës. Pozita e presidentit duhet të shërbejë ashtu siç është në Kushtetutë si pozitë unifikuese dhe jo bllokuese. Në këtë moment kemi një rast të tillë kur vet zgjedhja e presidentit po shërben si bllokim për institucionet e Kosovës, por edhe jetën normale në Kosovë. Kemi pasur iniciativa në të kaluarën që kanë mbet aty, mirëpo mendoj që reforma zgjedhore duhet të fillojë në të ardhmen e afërt dhe aty të shikohet mundësia qe presidenti të gjedhet nga qytetarët e Kosovës”, u shpreh ajo.

Ndërsa, Pal Lekaj nga AAK thotë për KosovaPress se partia që përfaqëson do të përkrahë çdo reformë zgjedhore dhe kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

“Aleanca përkrah çdo reformë zgjedhore edhe në qoftë se akordohemi që presidenti të zgjeshet drejtpërdrejtë me votën e qytetarëve”, thotë ai.

Por me argumentet e tri partive, nuk pajtohet deputeti i LVV-së, Dimal Basha.

Ai thotë se problemi nuk ekziston me Kushtetutën, apo me ligjin për presidentin, por me partitë politike dhe mendësinë e tyre.

“Në një vend normal sikur të ruhej fryma kushtetuese, ku kërkohet një president që përfaqëson unitetin e popullit, kjo nuk do të ishte problem. Problemi nuk ekziston me Kushtetutën, apo me ligjin për presidentin, sa ekziston me partitë politike dhe mendësinë e tyre brenda Kuvendit…ne mendojmë sikur Republikë parlamentare sikur të ruhet fryma kushtetuese nuk do të ishte problem për asnjë subjekt politikë për me votua për një president konsensual, apolitik që përfaqëson unitetin e popullit. Problemet janë subjektet politike, jo kushtetuta, apo forma e rregullimit për zgjedhjen e presidentit”, deklaron ai.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *