Tahiri: Shqetësuese numri i madh i pozitave me U.D, antiligjore dhe mund të mos prodhojnë efekt juridik
Vendimet që i marrin personat zyrtarë që janë me pozitë ushtrues detyre mund të kontestohen nga institucionet juridike dhe të konsiderohen antiligjore, sipas Ligjit Për Zyrtarët Publik. Kështu ka thënë shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se mbajtja e këtyre pozita me zëvendësues është në kundërshtim me Ligjin Për Zyrtarët Publik Neni 35, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi tash e një vit.
Tahiri deklaroi se pozita e drejtorit të Thesarit të Shtetit aktualisht udhëhiqet me ushtrues të detyrës, të cilit i ka kaluar mandati prej një viti dhe se pa mandat ai nuk mund të nënshkruajë vendime valide.
“Andaj është tepër e rëndësishme që të ketë një veprim të shpejt sot, ose më së largu të hënën, ose përndryshe shërbyesit civilë, 80 mijë njerëz të administratës do të ngelin pa paga”, përfundoi ai.
Tahiri tha se kjo qeveri nuk e ka asnjë përgjegjësi të vetme në raport me përgjegjësinë që ajo e ka.
“Kjo qeveri, me këtë akt, e ka vërtetuar se nuk ka asnjë lidhje në menaxhimin e administratës shtetërore”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së.
Sipas Tahirit, tejkalimi i këtij afati përveç që është paligjshmëri në vetvete, “prodhon edhe një pasojë tjetër juridike që është shpallja e paligjshme e çdo vendimi të marrë nga U.D, pas kalimit të afatit 1 vjeçar siç përcaktohet nga vet LZP”.