Talenti i ri që premtonte shumë, kush ishte Erion Kajtazi që vdiq sot në fushën e lojës 

                                          Eion Kajtazi, futbollisti i ri i Trepçës ’89 dhe i Kosovës U17, ka vdekur në fushën e lojës pas një arresti kardiak.Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës.Kajtazi  vdiq derisa ishte duke luajtur në ndeshjen e juniorëve mes Trepçës ’89 dhe A&N, takim që u zhvillua në Korishë të Prizrenit, kur ka rënë në tokë pa vetëdije, shkruan Reporteri.net. I njëjti u dërgua me urgjencë Spitalin Rajonal në Prizren, ku përkundër përpjekjeve të mjekëve nuk shfaqi shenja jete.“Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak”, u tha në njoftimin e FFK-së.

Talenti i ri që premtonte shumë, kush ishte Erion Kajtazi

Erion Kajtazi vlerësohej si një ndër lojtarët më të mirë në Kosovë në gjeneratën e tij. Ai luante si sulmues qendror, anësor si dhe disa pozita në mesin e fushës, gjë që konsiderohej veçanti e tij. Ai tashmë kishte bërë hapat e tij të parë luajtur në futbollin evropian.16-vjeçari kishte marrë ftesë nga kryetari i klubit gjigant belg, Anderlecht për të shkuar në prova disa javore.Ai kishte udhëtuar në Belgjikë më 12 shtator, duke performuar me shumë sukses në prova dhe vlerësohej se karriera e djaloshit nga Mitrovica mund të merrte një kthesë të madhe. Trajneri i tij, Shukri Asllani kishte thënë se Erioni posedon disa cilësi të veçanta që e dallojnë atë nga të tjerët,“Erioni posedon disa cilësi të veçanta që e dallojnë atë nga të tjerët. Është lojtar i ri, fizikisht dhe teknikisht shumë i mirë. Erioni është poashtu lojtar me potencial të madh. Unë jam kureshtar ta shoh se si do të paraqitet ai në një nivel më të lartë se ky në Kosovë dhe tek një klub i madh sikur që është Anderlecht. Unë besoj në cilësitë dhe potencialin e Erionit si lojtar dhe jam optimist në këtë drejtim”, kishte thënë menaxheri Shukri Asllani.Ai po ashtu ka qenë pjesë e Kombëtares U17 të Kosovës, ku është paraqitur në ndeshje të mëdha ndaj Austrisë, Ukrainës, Italisë, Sllovenisë, Bullgarisë e Turqisë.