Tri kërkesat e Rizvanollit karshi KOSTT-it dhe KEDS-it
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar tri kërkesat e saj karshi operatorëvë energjetik, gjegjësisht Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), raporton Ekonomia Online.
Pas takimit të përbashkët, Rizvanolli ka thënë se ka kërkuar që ekipet në terren të sanojnë lokacionet ku ka probleme, puna në ndërtimin e nënstatcioneve të vazhdojë intensivisht, si dhe komunim sa më të mirë me qytetarët.
“Për gjatë takimit, unë i përcolla të gjitha ankesat e qytetarëve që i kemi pasur për furnizimin me energji elektrike, vecanërisht në zonat më të ndikuara. Nga njëra anë, kërkova nga operatorët që të bëjnë maksimumin që ekipet në terren të sanojnë të gjitha lokacionet ku ka probleme, qoftë për shkak të prishjeve apo ngarkesës”.
“Nga ana tjetër, është tepër me rëndësi që investimet në nivel të transmisionit që janë duke u bërë e që jane afër, si nënstatcioni i Ferizajit, që është rajoni që ka më së shumti problem, të vazhdojnë punimet me intensitet. Siç u informova, pritet që ky nënstatcion të përfundojë brenda disa ditësh ose javësh”.
“Kisha edhe një kërkesë tjetër, që të kenë komunikim sa më të shpeshtë dhe të qartë me qytetarët”.