Vizita e Lajçak, një përpjekje për të mbuluar dështimin e ndërmjetësimit, dhe rreziku për Kosovën nga tensionet e paralajmëruara.-Shkruan:Hisen BERISHA, Deputet i PDK-së.
Vizita e paralajmëruar e Miroslav Lajçakut në Kosovë mund të shërbejë si sinjal për rëndësinë që BE-ja i jep dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos në një kohë kur tensionet janë të larta dhe përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve duket i vështirë. Procesi i ndërmjetësimit të Lajçak deri tani ka treguar dështim diplomatik nga BE-ja. Mesazhi i Lajçakut mund të jetë i shumëfishtë: nga njëra anë, ai mund të nxisë palët që të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani, por ndërmjetësimi i tij është treguar i pasuksesshëm dhe i paekuilibruar në raport me Beogradin në presionin diplomatik. Për më tepër, ndërmjetësimi i tij ka kthyer procesin mbrapa, ka prodhuar marrëveshje antikushtetuese dhe kundër interesave të shtetit të Kosovës. Ky ka qenë një proces që ka sjellë vendin deri në pikën ku Kosova ndodhet nën masa sanksionuese të BE-së, me kërcënimin për masa shtesë që prekin vetëm Kosovën. Lajçak po ashtu mund të sjellë një paralajmërim se mungesa e përparimit ose tensionet e mëtejshme mund të dëmtojnë perspektivën evropiane të të dyja vendeve. Por, në ketë frymë ishte dhe deklarata e tij e fundit në lidhje me aferën e “urës”, një paralajmërim i keq për Kosovën, sepse sipas tij vendi do të mbetet i pazhvilluar, me eksod masiv dhe i paintegruar në Evropë. Në të njëjtën kohë, komentet e liderëve ndërkombëtarë si Scholz, Macron dhe Lajçak janë interpretuar si inkurajim për Serbinë që të vazhdojë pandryshueshëm me qëndrimet e saj kundrejt Kosovës. Këto qëndrime të diplomatëve ndërkombëtarë krijojnë pyetje serioze rreth qëllimeve të vërteta të BE-së dhe Francës në rajon. Investimet në Serbi nga të fuqishmit e Evropës e Azisë, krahas aspektit intefrues ekonomik, ngrehin pyetjen nëse në rast të ndonjë lëvizje agresive të Serbisë, a do ti sulmonin invedtimet e veta në Serbi?! Në një frymë janë edhe paralajmërimet e Sarrazin për përfaqësim të Kosovës në marrëveshjen e CEFTA, dhe të Ambasadorit gjërman Rohde rreth Procesit të Berlinit dhe mundësinë që “Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecin pa Kosovën në ketë proces”. Nga ana tjetër, shqetësuese janë edhe deklaratat e miqve nga shteti aleat i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Daniel Fried ka shprehur pezëm, duke thënë: “Nuk e kuptoj pse Qeveria e Kosovës po përplaset me Shtetet e Bashkuara. Qeveria e Kosovës ka arritur disi ta bëjë Qeverinë serbe, të duket si palë e dëmtuar”. Ky pezëm i z. Fried arrin deri në pikën që ai të vërë në dyshim agjendën e Kurtit, duke deklaruar se “veprimet e Qeverisë së Kosovës janë një enigmë për të”?! Nuk ka asnjë arsye të ketë përplasje me Shtetet e Bashkuara, pasi rrugëtimi mbështetës i tyre për Kosovën ka treguar se ekzistojnë mënyra të tjera për të adresuar çështjen e Urës së Ibrit. Të gjitha këto deklarata dhe qëndrime më bëjnë të mendoj se kemi të bëjmë me një skenar të koordinuar, ku si Beogradi ashtu edhe Prishtina po i shfrytëzojnë krizat dhe bllokadat për përfitime politike. Bllokadat që mund të realizohen kanë potencialin të krijojnë një situatë të rrezikshme jo vetëm për qytetarët në veri të Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin përreth. Historia ka treguar se tensionet në veri të Kosovës mund të shpërthejnë në dhunë, duke e rënduar më tej konfliktin e ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë, dhe mund të detyrojnë aktorët ndërkombëtarë të ndërhyjnë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese kur kemi parasysh se informacionet sugjerojnë cenimin e sigurisë, për të cilën janë përgjegjës edhe me mandatin e dhënë nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me ketë gjuhë ksn paralajmëruar edhe Ambasada e MB por edhe vetë Drejtori Regjional i Policisë së Kosovës Kol. Elshani. Përfundimisht, nëse Lajçaku paguhet nga taksat e qytetarëve evropianë, ai me ketë lëvizje po mundohet të justifikojë pagën e tij, edhe nëse mundet ta mbuloj dështimin, por është i vetëdijshëm se nuk do të arrijë asnjë rezultat, pasi Kosova është në prag zgjedhjesh. Në fund, Lajçaku do të mbahet mend si një ndërmjetësues i njëanshëm, që ndihmoi për arritjen e një marrëveshjeje të dëmshme për Kosovën. Në këto rrethana, vizita e tij duhet të shërbejë si një përpjekje për të balancuar kërkesat e ndryshme që vijnë nga komuniteti ndërkombëtar, duke ruajtur stabilitetin në rajon dhe duke u fokusuar në detyrat që qeveritë duhet të përmbushin për të avancuar drejt integrimit më të afërt me Bashkimin Evropian dhe të jenë pjesë e sigurisë globale duke u integruar në NATO, objektiv ky imediat i Republikës së Kosovës./www.QendraPress.com/