Zatriqi ishte fshati që i dha strehë, bukë dhe shpirt luftës së UÇK-së
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtuar 26-vjetorin e betejës për Zatriqin dhe rënien heroike të tre dëshmorëve nga ky fshat, së bashku me 15 martirët e vrarë në vitin 1999. Kryetari Latifi ka thënë se Zatriqi ishte fshati që i dha strehë, bukë dhe shpirt luftës së UÇK-së e që kontribuoi shumë për çlirimin e atdheut. “Vepra e dëshmorëve rron përjetësisht në kujtesën tonë dhe në histori! Mazllum Kastrati, Xhafer Vehapi dhe Esat Kastrati nga Zatriqi, u pavdekësuan me pushkë në dorë në betejën e 3 shtatorit 1998, duke i dhënë nder, kuptim dhe aromë të veçantë lirisë së këtij trualli, e cila u fitua me jetë dhe me gjak. Lufta dhe heroizmi i djemve më të përkushtuar të UÇK-së do të na bëjnë krenarë sot dhe në të ardhmen!”, ka theksuar Latifi.