Zemaj paralajmëron masa të reja anti-COVID në nivel vendi
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave të reja anti-COVID në nivel vendi, para fillimit të javës së ardhshme.
Në konferencën e përjavshme bashkë me drejtorin e IKShPK-së, Naser Ramadanin dhe kreun e ShSKUK-së, Valbon Krasniqin, ministri Zemaj ka deklaruar se masat e reja do të prezantohen nga kryeministri Avdullah Hoti.
Ai ka thënë se masat do të jenë në fuqi nga java e ardhshme.
“Ministria e Shëndetësisë bashkë me kryeministrin dhe qeverinë jemi duke përgatitur masa të cilat do të jenë në fuqi nga java e ardhshme, dhe do të jenë në fuqi në nivel vendi, e jo për komuna veç e veç”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.
Në një konferencë për media të mërkurën, duke folur për masat e reja që pritet të aplikohen në nivel vendi, kryeministri Hoti paralajmëroi se masat do t’i ngjajnë atyre që janë ndërmarr në vendet evropiane dhe regjionale së fundmi.
Zemaj, po ashtu ka njoftuar heqjen e pesë komunave nga zona e kuqe e rrezikshmërisë me COVID-19. Në këtë zonë, nuk ndodhen më Gjakova, Gjilani, Kllokoti, Kamenica dhe Graçanica.