Erdogan: Turqia e gatshme të ofrojë mbështetje në dialogun Kosovë-Serbi

                     Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Kurti në Stamboll, në konferencë për media foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.Erdogan deklaroi se Turqia e mbështet arritjen e një marrëveshjeje përmes dialogut, duke kërkuar qasje paqësore e konstruktive nga të dy palët, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Ai tha se është i gatshëm të ofrojë ndihmë nëse nevojitet.

“Ne mbështesim dialogun dhe presim që palët të demonstrojnë qasje paqësore e konstruktive. Shpresojë që dialogu të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon. Turqia është gati të ofrojë ndihmë për paqen në rajonin tonë nëse i kërkohet nga palët. Do të marrim hapa për të fortifikuar marrëdhëniet tona me vëllezërit kosovarë”, tha Erdogan.

Ndër të tjera, Erdogan ka përkujtuar se Turqia është vendi i dytë që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Atë kohë, kam qenë duke drejtuar mbledhjen e kabinetit dhe ma komunikuan që SHBA-ja e kishte njohur si vendi i parë, dhe thashë se ne do të jemi vendi i dytë që e njohim Kosovën. Qoftë e hajrit. Është domethënëse kjo. Tani janë 117 shtete që e njohin. Ne do të bëjmë punë intensive që të arrijmë shifrën që është si objektiv sa i përket njohjeve. Dua t’iu uroj 15-vjetorin e Pavarësisë që tani. Ne po vazhdojmë përpjekjet për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare. Mbështesim Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO”, tha presidenti turk. /Reporteri.net/.