Reagon Maloku: I dorëzova dorëheqjen Kurtit

                       Edona Maloku, e cila deri të hënën ka qenë zëvendësministre e Arsimit, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.Njoftimin e ka bërë të ditur në Facebook, ku edhe ka treguar arsyen ku edhe ka publikuar një fotografi nga takimi përshëndetës me kryeministrin Kurti, të cilën e ka falënderuar për besimin e dhënë.“Ju njoftoj se dje, më 31 korrik 2023, kam përmbyllur rrugëtimin tim si Zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës. Për shkaqe subjektive, e kam të pamundur të vazhdoj më tej angazhimin tim në këtë detyrë dhe rrjedhimisht, i kam dorëzuar dorëheqjen time Kryeministrit Kurti. Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim”, thuhet në postimin e saj.Ajo ka thënë është krenare për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme.“Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare. U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim. Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë”, ka shkruar Maloku. Kohë më parë nga pozita e zëvendësministrit të Arsimit është larguar dhe Dukagjin Pupovci.