Armatosja e Serbisë, Shala: Vuçiq e ka marr për obligim nga Putin të nisë luftë në Ballkan
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e ka mandatuar Millosh Vuçeviqin, ish-ministër i Mbrojtjes dhe udhëheqës i subjektit në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS), për formimin e Qeverisë. Ai e zgjodhi aeroportin ushtarak të Batajnicës për të bërë prezantimin e mandatarit të ri të Qeverisë serb, prej ku edhe përçoi mesazhe luftënxitëse.
Ai bëri të ditur se në një të ardhme të afërt, Serbia do të blejë avionë të kombinuar luftarakë-bombardues, MIG 29 nga Rusia. Presidenti serb tha se “Më 20 prill, në Peshter, ne do të shohim veprimin e vërtetë të dronëve tanë për herë të pare”.
Vuçiq ka thënë se nuk kërcënon askënd, pasi sipas tij, ata që flasin për kërcënime zakonisht mendojnë se duhet të kërcënojnë dikë.
”Serbia nuk kërcënon askënd, nuk ka kërcënuar asnjëherë. Ne i dimë të gjitha problemet tona, e dimë se sa të dobët jemi, por e dimë gjithashtu sa më të fortë se sa ishim, por ky është realizimi ynë dhe është e rëndësishme që ne mund të përpiqemi ta bëjmë veten shumë të fortë dhe që askush nga mjedisi do të mendonte për këtë të kryente agresion ndaj vendit tonë”, ka thënë Vuçiq.
Mandatimin e Vuçeviqit për kryeministër të Serbisë nga aeroporti ushtarak në Batajnicë, sipas eksperti i sigurisë Drizan Shala ka një simbolikë, sepse është bërë nga një vend ku në vitet 1998/99 janë sjellë dhe janë varros dhe rivarrosë trupat e 720 shqiptarëve të vrarë në Kosovë dhe ishin fshehur në bazën e njësisë antiterroriste serbe.
“Pikërisht nga ai vend Vuçiq përçoi mesazhin se qëndron ende prapa veprimeve të ndërmarr nga shteti i Serbisë sa i përket spastrimit etnik të ndodhur në Republikën e Kosovës dhe në anën tjetër kjo tregon se kryerësi i krimit kthehet në vendin e krimit. Pra Vuçiq këto deklarata të shfrenuara të nacionalizmit serb i bën në vendet ku ka lidhshmëri me veprimet e ndërmarra kriminale përgjatë viteve 90-ta”, tha Shala, për EuronewAlbania.