Kujtohet Beteja e UÇK-së në Buçe të Opojës

Ish-komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha, ka kujtuar një nga betejat më të rëndësishme në historinë e luftës për lirinë e Kosovës, betejën e Buçes në Opojë.

“Më 28 korrik 1998, duke u kthyer nga Shqipëria, një grup prej 63 luftëtarësh të UÇK-së, të cilët kishin qenë për armatim, ranë në pritë të forcave serbe. Në përplasjen e ashpër që pasoi në fshatin Buçe dhe mbi fshatin Brezne, ranë heroikisht dy luftëtarë të UÇK-së, Beamir Memaj dhe Nexhat Fanaj”, shkruan Berisha.

“Gjatë kësaj beteje, edhe forcat serbe pësuan humbje të rëndësishme. Oficeri i lartë i ushtrisë serbe, Deliq, la jetën në këtë betejë, ndërsa kryemilici i policisë serbe në komunën e Dragashit u plagos rëndë”.

“Rënia e dy luftëtarëve trima dhe plagosja e katër të tjerëve ishte një humbje e madhe për UÇK-në. Nexhati, një mërgimtar që kishte lënë Zvicrën për të luftuar për lirinë e vendit, dhe Beamiri, një i ri nga Zhuri që kishte ardhur vullnetar në UÇK, ishin në krye të detyrës për furnizimin me armatim nga Shqipëria”.

“Pavarësisht humbjeve, lufta dhe furnizimi me armë vazhduan. Në nxjerrjen e ushtarëve nga rrethimi dhe të plagosurve në Buçe dhe malet e Breznes, u angazhua një pjesë e kompanisë së fshatit Billushë-Kushtrim dhe Poslisht. Ata arritën të tërheqin ushtarët e plagosur, si Sami Berisha nga Lezi, Albrim Krasniqi nga Vlashnja, Shasivar Ajazaj nga Zhuri dhe Ismet Zymberi nga Tusuzi.”

“Në këtë aksion morën pjesë edhe Policia Ushtarake me Salajdin Berishën në krye dhe Ekrem Rexha-komandant Drini, të cilët u angazhuan në operacionin për nxjerrjen e kufomave të dëshmorëve dhe të plagosurve. Ky operacion përfshiu një pjesë të komandës së Shtabit Lokal, një pjesë të Batalionit të Parë dhe të Dytë, si dhe komplet Policinë Ushtarake. Xhevat Berisha, komandanti i ZKZ, i shoqëruar nga luftëtarët e Vërmicës dhe Zhurit, u angazhua për tërheqjen e kufomës së Nexhat Fanaj nga fushëbeteja”.

“Vlen të theksohet kontributi i madh i banorëve të fshatrave Buçe dhe Brezne, të cilët ndihmuan luftëtarët e lirisë dhe të plagosurit në këtë betejë”.

“Lufta për lirinë e Kosovës vazhdoi me shumë beteja kundër okupatorit serb deri më 12 qershor 1999, kur përfundimisht iu dha fund sundimit sllav në tokat tona”.