Çaste poetike me poeten;-Shqipe BYTYÇI

INTEREGIUM
—————————-
Jam zënë në flluskën
mes kohës dhe hapësirës
mes të djeshmes
plot ngjyra, plot ëndrra
(paçka gjunjë-grisur)
dhe mes të sotmes gri
mes virusesh nga dorë njeriu
përralla fëmijësh nga gojë kabllosh
Jam zënë
mes tokës ku mbira
e asaj ku me çoj stuhia
peng mes tokës dhe qiellit
mes dje dhe sot
kur shpirti donë
por e prekshmja s’ja del dot
ku dhuna, prodhon dhunë
ku njerëzorja nuk përqaset më
ku trollit të pëlleshëm kohë-thyerjesh
njeriu i tjetërsuar hedh farën e trishtit
Interegium
kuptova, ligji i xhunglës
nuk është më i egri
shoh si zhbëhen kufinjët
si bijën maskat
si secili mban linjën e kampit vet
si çdoherë, shfajësohet i forti
Interegium
njerëzorja lëngon rëndë, rëndë
ShB, shkurt 2025
/QendraPress.com/