Bixhoz i paligjshëm, Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për 10 të dyshuar

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj dhjetë personave të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” . Në njoftimin për media thuhet se sipas kërkesës, me datë 28.02.2025, rreth orës 23:00 minuta, në Suharekë, në kafiterinë “R.G.Z”, i pandehuri L.R., (pronar i lokalit), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizon dhe merr pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë, lokalin e përdorë për lojëra të fatit, ku me rastin e lokalizimit të vendit nga zyrtarët policor kur të njëjtit tentojnë të hyjnë në lokal, dera e lokalit ishte e mbyllur me çelës nga brenda, dhe ishte me pak ndriçim, e pas tentimit të zyrtarëve për ta hapur derën, aty i pandehuri L.R., e hap derën, ku gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë brenda në lokal në tavolinat ku kanë qenë ulur të pandehurit e lartëcekur janë hasur në total dyqind e tetë (208) letra, nëntëdhjetë e gjashtë (96) kartela me mbishkrimin AliExpress me barcode, të cilat dyshohet se janë kartela për lojërat e fatit online. Po ashtu, nga të pandehurit e lartëcekur janë sekuestruar në total pesëmbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë euro (15.260 €), dhe njëmijë e dyqind franga Zvicerane (1.200 CHF). Gjithashtu, bëhet e ditur se tek i pandehuri L.R., – pronari i lokalit të lartcekur janë gjetur letra në sasi prej tremijë e treqind e njëzet e gjashtë (3326 copë), të cilat janë përdorur për lojë bixhozi natën kritike. Sipas njoftimit, L.R.,P.B., B.Q., F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A., dhe M.Sh., gjenden në ndalim 48 orësh nga data 01.03.2025 për veprën penale të lartëcekur./Arbresh.info/