Çaste poetike me poeten;- Vjollca ALIAJ

Flamingot në fluturim
————————————–
Peizazh me pendë të dallgëta rozë,
Flamingot e morën fluturimin,
Këto ujëra, pasqyrime engjëjsh,
Seç pëshpëritin mallëngjimin.
Ç’torturë kraharori bosh,
Ky shpirt i bashkohet tufës,
Klithmë e spirales, si vetëtimë dielli,
Tingëllin mbrëmjet e vetmuara.
Flamingot e morën fluturimin,
Mbështjellë me korrin e lagunave,
O ju, skelete zemrash prej kripe,
këndoni puthjen e harruar të Adamit!
Rënkime të ëmbla, pa mëkate,
Një pupël rozë, e kotë çdo fjalë,
I lë ofshamat t’i shkojnë pas flamingos,
Fshehur në terrin e të pamundurës.
Mbi këto ujëra, pasqyrime qiejsh,
Ninullat ndjekin ritmin e zjarrit,
E nëse vdesin me perëndimet,
Nga fluturimet do të ringjallen.
/QendraPress.com/