Çaste poetike me poeten;-Marissa Rrasa ASHIKU

Në gushë
———————
mbaj rruazat e para,
aromë qelibari.
Të përzemërtat e nënës
i kujtojnë shpirtin e bukur të së jëmës.
Kur e merr malli,
kthehet katër dekada pas:
te aroma e dheut të punuar,
te pema e kajsisë poshtë burimit,
te perimet e mbjella,
te buka e pjekur në saç,
te parfumi i duarve të saj,
aromë çaji mali.
Pastaj rikthehet
në dhomën e ngushtë,
në katin e katërt të pallatit,
mbushur me frymën e dallëndysheve.
Këtu, foshnjat e porsalindura
luajnë një simfoni zërash.
Qumështi që rrjedh nga gjiri i nënës
përzihet me aromën e kafesë
që gurgullon si një vullkan
bisedash të gjata mes mikesh.
Nëna buzëqesh,
e qetë, e palodhur,
e bukur
sidomos kur më përkëdhel flokët
dhe fsheh një pikë loti.
Sot, në atë lot
shoh format dhe ngjyrat e kohës sime.
Jam në moshën e trëndafilit.
Kthehem katër dekada pas
të ngjis zemrën
dhe të çlodh fytyrën.
/QendraPress/