Fryma poetike e së dielës me poetin:Hazir LUTA

JETËVDEKJA
——————————
Koha m’i gërryen rrugët
Si ujë vërshimesh në Pranverë
Kur bora e shpirtit shkrihet
Dhe zbraz krejt mllefin
Mbi kalanë e quajtur jetë
Kalanë jetë
Që as lumturia s’e pushton
As edhe kur shpirti dhemb
Veç vdekja
Vdekja e shemb
Koha e përdalë dalldiset
Në kurrizin tim të fortë
Të kalitur prej kohësh
Mes përmes dhimbjesh
Në guacën e zbrazët të lumturisë
Dhe unë buzë vdekjes
Mbledh guralecët e fatit
Ata me ngjyrë dhimbje
E me shkëlqim lumturie
Për ta ndërtuar shtëpinë e jetës…
/QendraPress.com/