Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Kujtim HAJDARI

ENDE THUR KËNGË

———————————-

Korija buzë bregut nuk rri dot heshtur,

Kur nga oqeani vjen rishtas jehona,

Ajo merr e këndon mbrëmjeve pareshtur,

Serenata me të qeshurat tona.

Lisat e vjetër qëndrojnë lart e krenarë,

Si roje të kujtimeve që lamë jetim,

Të historive me plagë – si dëshmitarë,

Si musketierë që mbrojnë dashurinë.

Këndi ynë në kafe “Nero” gjithnjë pret,

Zërat tanë me ngrohtësi e dëshirë,

Si dikur kur ëndrrave u jepnim krahë e fletë,

E dashurinë freskonim me një gotë birrë.

“Parku i Luleve” ka rënë në mendime,

Pret t’na zbukurojë me ngjyrat e ndezura,

Këtu, ku ndanim momentet tona intime,

Momentet e gëzueshme dhe të hidhura.

Kjo strehë e kënaqësisë kaq të pastër,

Kjo kanavacë nga vet natyra pikturuar,

Por lulet nuk e dinë që zemrat tona,

Tashmë janë larg, s’këndojnë për t’u takuar.

Por unë ende thur këngë për dashurinë,

Që ti ndoshta kurrë s’ke për t’i dëgjuar,

Ato strukur në shpirt nuk mund të rrrinë,

S’mund të rrinë, dashurisë që dhamë, pa i kënduar.

/QendraPress.com/