Çaste poetike me poeten;-Anila KODRA

LOTËT
—————–
Qan,
dhe lotët e trishtuar të kësaj dite,
duket sikur dhe qielli i ndjeu.
Qan dhe ai dhe nga retë,
që përplasen herë qetë dhe herë me zhurmë,
rrjedhin litarë të gjatë shiu,
që bien zhurmshëm në asfaltin e rrugës
dhe trotuarin ku tani kaloj unë.
Qan.
Edhe ky mëngjes duket sikur e ka harruar,
që vetëm disa orë kanë kaluar,
nga ajo ditë kur njerëzit të bekuar festonin,
stinën e luleve, të diellit rrezeartë,
me dëshira shpirtërore mbuluar.
Edhe ky mëngjes ka ulur perdet e siparit
dhe skena e kësaj dite duket
sikur nuk ka aktorë nga pas.
Qan,
dhe lotët bien aq rëndë,
sa thyejnë çdo pllakë tektonike të shpirtit,
e grimcojnë në mijra thërrime ,
e bëjnë të ndjejë dridhjet e një tërmeti,
që dhe zemrën e lëkund.
Sa të hidhur janë sot,
e kanë humbur njelmësinë e tyre,
edhe pse janë të nxehtë,
bashkohen me stërkalat e shiut ,
dhe humbasin në trotuarin ku kaloj unë .
Qan sot.
Dhe lotët edhe pse pa zhurmë,
flasin me gjuhën e tyre
dhe bashkohen çuditshëm,
me zhurmën dhe poteren e kësaj dite me erë dhe shi.
Lotët janë fjalët në heshtje,
të një shpirti që nuk flet dot.
Janë më shumë se fjalë,
që dalin nga një zemër e lënduar sot.
/QendraPress/