Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Llesh GJOKA

KUR SHKRUAN NJË POETE
——————————————
Kur shkruan një poete
Dita bëhet sqimatare.
Gëzimi i saj përhidhet me ojna lulesh
Në valsin e ajrit ledhatar.
Fjalët, ah, fjalët fatlume!
Festojnë artin e tyre të mahnitshëm.
Vargjet bëhen margaritarë të varur
Mbi degët e lulimit të ëndrrave të brishta.
Kur shkruan një poete
Koha e saj rrjedh si rrymë.
Valëzuar metaforash
Shtjellëzuar rimash.
Kur shkruan një poete
Qielli i syve puthet me një dritë të përtejme.
Zemra, afsh dashurie,
Shkrin çdo ndjenjë në arturina fjalësh
Në një farfuritje dritëverdhë.
Kur shkruan një poete
E vërteta e thjeshtë
Më thotë pa u dukur.
E bukura bëhet më e bukur.
/QendraPress/