Ju prezentojmë;- Zafir BERISHA dhe rrugëtimi jetësor.

Biografia, veprimtaria ilegale, kontributi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe angazhimi politik

              Përmes kësaj biografie pasqyrohet veprimtaria ilegale e Zafir Berishës dhe familjes së tij gjatë viteve ’80–’90, angazhimi i tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe rrugëtimi i mëvonshëm në jetën politike të Kosovës.Zafir Berisha u lind më 16 janar 1968, në fshatin Kushtrim (Billushë) të Prizrenit.

Fëmijëria dhe fillimet e veprimtarisë kombëtare

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren, ndërsa shkollimin e lartë në Gjakovë.

Familja Berisha, në përgjithësi, e veçanërisht Zafiri dhe vëllezërit e tij, u shquan për kontributin dhe sakrificën në përpjekjet për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar.

I frymëzuar dhe i nxitur nga vëllezërit më të mëdhenj, Zafiri, që në rininë e hershme, e filloi veprimtarinë kundër pushtetit serbo-komunist. Në vitin 1981, së bashku Gani Berisha, shkroi parullën “Kosova Republikë”.

Për shkak të veprimtarisë së tyre kundër regjimit të kohës, në nëntor të vitit 1981, shërbimi sekret serb arrestoi dy vëllezërit e Zafirit, Shaniun dhe Sheradinin, të cilët u dënuan me nga tri vjet burgim të rëndë, (bashkë me ata u arrestuan edhe zilaz Shala, Shefidin e Faridin Mazllamaj etj). Ata i vuajtën dënimet në burgjet famëkeqe të ish-Jugosllavisë, ndër të cilat në Prizren, Gospiq, Shibenik, Goli Otok dhe Stara Gradishta.

Ndërkohë, vetë Zafiri, me arsyetimin e të ashtuquajturit “vëllazërim-bashkim” jugosllav, u përjashtua nga shkolla fillore, ku vijonte mësimet në klasën e shtatë.

Zhvillimet e pafavorshme politike dhe të sigurisë, burgosja e të rinjve dhe gjendja e rëndë sociale e shumicës së popullit shqiptar në Kosovë, veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981, nuk e lanë të qetë Zafirin. Ai i braktisi lojërat e fëmijërisë dhe iu përkushtua gjithnjë e më shumë lëvizjeve ilegale të kohës.

Në nëntor të vitit 1983, kur Zafiri ishte nxënës i shkollës së mesme dhe dy vëllezërit e tij më të mëdhenj gjendeshin në burg, vëllai i tretë, Mujadini, në shenjë revolte ndaj sistemit, dogji flamurin jugosllav. Ngjarja ndodhi në kohën kur aktivistë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë organizonin aktivitete në emër të “vëllazërim-bashkimit”, për të krijuar përshtypjen se në Kosovë nuk po ndodhte asgjë e jashtëzakonshme.

Arrestimi dhe dënimi i Mujadinit me pesë muaj burgim të rëndë bashkë me Gafurr Krasniqin, përbënin një goditje të rëndë për familjen Berisha dhe për vetë Zafirin, i cili atëherë ishte vetëm 15 vjeç.

I mbetur përkohësisht pa tre vëllezërit, të cilët po vuanin dënimet në burgjet e ish-Jugosllavisë, por i mbështetur nga babai, i cili ndodhej në kurbet, nga nëna, motra, shokët dhe miqtë e idealit, Zafiri vazhdoi veprimtarinë kombëtare, ndonëse në moshë shumë të re. Shtëpia e familjes Berisha vazhdoi të ishte vendtakim për shokët dhe veprimtarët e ilegales nga pjesë të ndryshme të Kosovës.

Gjatë shkollimit të mesëm, në bashkëpunim me shokët e tij, ai e zgjeroi veprimtarinë kombëtare. Organizoi shkrimin e parullave kundër regjimit serbo-jugosllav, shpërndarjen e trakteve në shumë lokalitete të komunës së Prizrenit, si dhe shpërndarjen e librave dhe të shtypit të kohës, të botuar në vende të ndryshme të Evropës, të cilat ishin të ndaluara nga regjimi.

Në fund të vitit 1984, pas vuajtjes së dënimeve dhe daljes nga burgu, tre vëllezërit e Zafirit, Shaniu, Sheradini dhe Mujadini, e gjetën atë të pjekur para kohe dhe të vendosur për ta vazhduar qëndresën në mbrojtje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve.

Familja Berisha vazhdoi të ishte në shënjestër të regjimit komunist dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Si familje që nuk u lëkund në angazhimin për lirinë e Kosovës, ajo u bastis dhjetëra herë nga forca të mëdha policore serbe, të cilat kërkonin materiale të shkruara dhe luftarake, që mund të përdoreshin si bazë për arrestimin e Zafirit dhe të vëllezërve të tij.

Në vitin 1985, Zafiri u arrestua nga policia serbe dhe u keqtrajtua në stacionin policor në Zhur. Megjithëse ishte vetëm 17 vjeç, ai nuk u thye nga presioni.

Në këtë periudhë, Zafiri ishte bërë një nga organizatorët e veprimtarisë ilegale në rajonin e Prizrenit dhe merrte pjesë në aksione e aktivitete të ndryshme kundër pushtetit komunist serb. Falë shkathtësisë dhe aftësisë për t’u përshtatur me rrethanat, forcat policore nuk arritën ta arrestonin sërish në atë periudhë.

Vitet 1988–1991: Protestat dhe organizimi politik e ilegal

Në gjysmën e dytë të viteve ’80, ardhja në pushtet e Slobodan Millosheviqit dhe forcimi i politikës shoviniste serbe shtruan nevojën për organizim dhe mobilizim më të madh të qytetarëve në përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Shpërthimi i protestave masive të viteve 1988–1989 e gjeti Zafirin, vëllezërit Berisha dhe shokët e tyre të ilegalitetit në ballë të këtyre zhvillimeve. Megjithatë, aparati shtetëror jugosllav e detyroi të kryente shërbimin ushtarak në Armatën Jugosllave. Për 12 muaj shërbeu në Slloveni. Sipas biografisë, ai e shfrytëzoi këtë periudhë për të mësuar përdorimin e armëve të lehta dhe të rënda, njohuri që do t’i shërbenin më vonë gjatë luftës.

Pas kthimit nga Sllovenia, Zafiri, tashmë 22-vjeçar, u vu sërish në ballë të protestave kundër regjimit, të organizuara në Prizren. Ai ishte veçanërisht aktiv në lagjen Tusuz, ku, në një tubim pranë spitalit të qytetit, mbajti fjalimin e tij të parë publik para protestuesve. Në atë fjalim kërkoi vendosmëri dhe angazhim të palëkundur për realizimin e synimeve shekullore të popullit shqiptar të Kosovës.

Në fillim të viteve ’90, në Kosovë u krijuan subjekte të reja politike, ndërsa njëkohësisht shtrohej gjithnjë e më shumë nevoja për organizimin e mirëfilltë të veprimtarisë ilegale. Zafiri ishte formalisht aktivist i Partisë Parlamentare, por angazhimin e tij kryesor e përqendroi në forcimin e lëvizjes popullore LPK dhe në bashkimin e veprimtarëve të ilegalitetit për organizimin e një rezistence të armatosur.

Në vitet 1991–1992, regjimi serb filloi armatosjen e hapur të qytetarëve serbë në Kosovë. Ndërkohë, lufta kishte shpërthyer në disa republika të ish-Jugosllavisë, shumë të rinj shqiptarë po ktheheshin në arkivole nga Armata Jugosllave, ndërsa në Kosovë ndodhën helmimet masive të nxënësve shqiptarë, përfshirë edhe në Prizren.

Kjo ishte periudha kur u shtua nevoja për organizim dhe mobilizim të përgjithshëm të shqiptarëve në Kosovë.

Në shtator të vitit 1990, Zafiri, së bashku me shokët e tij dhe me mbështetjen e vëllezërve, organizoi një tribunë politike me temën “Kosova dje, sot dhe nesër”. Para qindra të pranishmëve ligjëroi edhe intelektuali dhe veprimtari i çështjes kombëtare, profesor Ukshin Hoti, i cili përcolli mesazhe të qarta për situatën politike dhe të ardhmen e Kosovës.

Arrestimet e shumta të veprimtarëve të ilegalitetit në tërë Kosovën, përfshirë edhe shokët e Zafirit, ndër ta dy heronjtë e Kosovës, Xhevat Berisha dhe Ismail Kryeziu, e shtynë atë ta intensifikonte veprimtarinë për organizimin ushtarak.

Në fund të vitit 1991, në një takim ilegal në lagjen Tusuz të Prizrenit, ku morën pjesë rreth 70 veprimtarë, u organizua Këshilli i Vetëmbrojtjes. Në të përfaqësoheshin 17 fshatra dhe lagje të rëndësishme të qytetit. Ky organizim do t’i paraprinte krijimit të celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajon.

Në të njëjtën periudhë, kur forcat serbe sulmuan familjen Jashari në Prekaz, Zafiri, i cili vepronte në zonën kufitare shqiptaro-shqiptare, me ndihmën e disa shokëve siguroi kalimin ilegal për në Shqipëri të Rifat Jasharit, si dhe të shumë veprimtarëve të tjerë të kohës.

Lëvizjet e Zafirit dhe të shokëve të tij drejt Shqipërisë për furnizim me armatim dhe përgatitjen e të rinjve për përdorimin e armëve nuk kaluan pa u vënë re nga forcat serbe. Familja Berisha vazhdoi të ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm policor dhe ushtarak.

Në vitin 1993, forca të mëdha policore rrethuan dhe bastisën familjen Berisha. Gjatë këtij aksioni u arrestua vëllai i tij, Sheradini, ndërsa Zafiri u detyrua të kalonte në ilegalitet të thellë.

Aksioni i 23 korrikut 1993 dhe veprimtaria në mërgim

Më 23 korrik 1993, Zafiri dhe shokët e tij, tashmë të armatosur, sulmuan stacionin policor të forcave serbe në Prizren. Sipas biografisë, ky aksion tronditi pushtetin serb dhe u cilësua nga shtypi i kohës si një nga aksionet e para të armatosura kundër pushtuesit serb në Kosovë.

Për shkak të rrethanave të krijuara dhe ndjekjes nga forcat serbe, Zafiri kaloi në Shqipëri dhe më pas qëndroi në disa vende të Perëndimit. Atje u njoh dhe bashkëpunoi me shumë patriotë shqiptarë, ndër ta edhe me Heroin e Kombit, Fehmi Lladrovci.

Përmes vëllait të tij, Shaniut, Zafiri mbajti lidhje dhe bashkëpunoi me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Në janar të vitit 1997, ai udhëtoi nga Perëndimi drejt Shqipërisë për t’u takuar me shokë dhe veprimtarë të rajonit të Prizrenit, me qëllim të organizimit të tyre nën hierarkinë e UÇK-së.

Rrethanat politike dhe ushtarake në Kosovë, rënia heroike e Zahir Pajazitit, si dhe arrestimet dhe burgosjet e shumë luftëtarëve të UÇK-së, e bënë urgjent organizimin e mëtejshëm ushtarak.

Në shtator të vitit 1997, me ndihmën e miqve dhe shokëve të tij, Zafiri solli kontingjentin e parë të madh të armatimit, i cili iu dorëzua njësitit të UÇK-së të udhëhequr nga Xhevat Berisha.

Kthimi në Kosovë dhe organizimi i UÇK-së në rajonin e Prizrenit

Më 28 shkurt 1998, forcat serbe sulmuan njësitet e UÇK-së në Drenicë dhe rrethuan lagjen Tusuz në Prizren. Gjatë këtij operacioni, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe arrestuan disa nga drejtuesit e UÇK-së në Prizren, ndër ta edhe Heroin e Kombit, Xhevat Berisha me Hajrim Qengaj, Mursel Osmanaj, Begush Bajrami e Mehmed Memçaj.

Në mëngjesin e asaj dite, Zafiri, i cili ndodhej në Gjermani, u njoftua përmes telefonit nga një anëtar i Shtabit të Përgjithshëm për zhvillimet në lagjen Tusuz. Përmes lidhjeve të posaçme, ai kontaktoi drejtpërdrejt me veprimtarët e lagjes dhe mori informacione më të hollësishme për ngjarjet.

Arrestimi i Xhevatit dhe i shokëve të tij ishte një goditje e rëndë për Zafirin dhe organizimin e UÇK-së në këtë pjesë të Kosovës.

Për shkak të mungesës së dokumenteve personale që do t’i mundësonin udhëtimin drejt Shqipërisë, Zafiri dërgoi vëllain e tij, Shaniun, për t’u takuar me shokët nga Prizreni. Gjatë këtij udhëtimi, Shaniu solli në Kosovë rreth 30 mijë emblema të UÇK-së, të cilat do t’i mbanin me krenari luftëtarët dhe luftëtaret e lirisë. Emblemat ishin siguruar nga Sheradini, vëllai i Zafirit.

Pas kthimit në Gjermani, Shaniu e informoi Zafirin hollësisht për zhvillimet e para të luftës në Kosovë.

Në fillim të majit 1998, Zafiri udhëtoi nga Amsterdami për në Tiranë.

Atje, për dy ditë rresht, u takua me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe eprorë të lartë ushtarakë. Pasi mori udhëzimet përkatëse, së bashku me Dëshmorin e Kombit, Agim Shala, i cili kishte ardhur nga Italia, dhe me shokë të tjerë, hyri në Kosovë dhe u vendos në malet e Jeshkovës.

Fillimisht takoi shokët e vjetër dhe familjarët e tij, me të cilët u informua për gjendjen në terren dhe pozicionet e forcave serbe në komunën e Prizrenit.

Gjatë këtyre takimeve, në fshatin Lez, takoi edhe Dëshmorin e Kombit, Selajdin Berisha. Pas arrestimeve të mëparshme në lagjen Tusuz, Selajdini kishte dalë në malet e Lezit me armatimin që kishte në dispozicion dhe kishte gjetur mbështetje të fuqishme edhe te të rinjtë e këtij fshati.

Në mesin e muajit maj, njësitet e konsoliduara të UÇK-së në komunën e Prizrenit filluan të organizonin dërgimin e grupeve të mëdha të ushtarëve për furnizim me armatim, përmes bjeshkëve të Koretnikut dhe Pikllimës.

Radhëve të UÇK-së në Prizren po u bashkoheshin vullnetarisht shumë djem e vajza. Për këtë arsye, Zafiri dhe shokët e tij e panë të domosdoshme që, në koordinim me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, ta organizonin më mirë kanalin e furnizimit me armatim nga Shqipëria. Për këtë detyrë, në Bjeshkët e Probregut u autorizua vëllai i Zafirit, Shaniu.

Dalja nga burgu e Xhevat Berishës me shokë, më 28 maj 1998 dhe ardhja e shumë shokëve të tjerë nga Perëndimi krijuan nevoja të reja për organizimin ushtarak.

Më 10 qershor 1998, në një takim të mbajtur në shtëpinë e Zafirit, në fshatin Billushë (Kushtrim) ku ishin Xhevat Berisha, Selim Krasniqi, Selajdin Berisha, Mursel Osmanaj, Ismail Kryeziu, Hajrim Qengaj, Xhemshit Krasniqi, Elbasan Shoshaj, Neser Berisha ku  ndanë përgjegjësitë organizative të Shtabit lokal të UÇK-së. Takime të rëndësishme u mbajtën edhe në fshatin Lez, në Malësinë e Vrrinit, në Lybeqev dhe në Arbëri (Leskovec).

Në këto takime u vendos që njësitet e UÇK-së, të njohura si Petritat, të udhëhiqeshin nga veprimtari i çështjes kombëtare, Remzi Ademaj, i njohur më vonë si Heroi i Kombit, takimi u mbajtë në Malësi të Vërrinit në shtëpin e Seladin Kryeziut me 26 qershor 1998 ku Remzi zgjidhe kom i Shtabit Lokal i UÇK-së për Prizren, në takim ishin Zafiri, Selimi, Xhevati Selajdini, Ismajli, Xhemshiti, Naseri, Elbasani, Murseli Hajrimi.

Në gjysmën e dytë të qershorit, njësitet e UÇK-së, gjatë udhëtimit për furnizim me armatim drejt bjeshkëve të Koretnikut, ranë në pritë të forcave serbe. Rrethanat e krijuara e detyruan Shtabin e UÇK-së në Prizren që tetë fshatra të rajonit t’i shpallte zonë të lirë.

Për ta informuar Shtabin e Përgjithshëm për zhvillimet luftarake në komunën e Prizrenit, Zafiri, së bashku me Heroin e Kombit, Ismail Kryeziu dhe Elbasan Shoshaj udhëtoi drejt Drenicës.

Pas këtyre zhvillimeve, në Prizren erdhi Bislim Zyrapi shef i Shtabit Operativ të UÇK-së, i cili inspektoi pozicionet e luftëtarëve. Në Jeshkovë u vendos Shtabi lokal i UÇK-së për Prizrenin, pararendës i Brigadës 125.

Luftimet e korrikut dhe betejat e gushtit e shtatorit 1998

Lëvizjet e Zafirit dhe të anëtarëve të tjerë të Shtabit përcilleshin vazhdimisht nga forcat serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Më 7 korrik 1998, gjatë një aksioni jashtë zonës së lirë, Zafiri ra në pritë të forcave serbe. Pas rreth katër orësh luftimesh, sipas biografisë, forcat serbe u detyruan të tërhiqeshin.

Luftimet e 7 korrikut mobilizuan edhe më shumë të rinj e të reja të komunës së Prizrenit për t’iu bashkuar UÇK-së.

Më 16 korrik 1998, luftëtarët e UÇK-së u përballën me sukses me forcat serbe në luftimet që u zhvilluan në Tusuz, Hoqë të Qytetit dhe te Laku i Billushës. Në këtë betejë, Zafiri, së bashku me një pjesë të Policisë Ushtarake dhe disa ushtarë të kompanisë së fshatit Kushtrim (Billushë), arriti t’u dilte nga prapa forcave armike në vendin e quajtur Kullat e Hoqës. Sulmi i tyre i detyroi forcat serbe të tërhiqeshin drejt Prizrenit.

Zafiri u bë një nga figurat e qëndresës luftarake në këtë rajon. Për këtë arsye, forcat serbe organizuan njësi të posaçme me synimin për ta eliminuar, duke ngritur kurthe dhe prita të ndryshme, të cilat, sipas biografisë, dështuan falë shkathtësisë së tij.

Në disa raste, forcat serbe sulmuan me armatim të rëndë dhe snajper pozicionet ku dyshonin se ndodhej Zafiri. Gjatë njërit prej këtyre sulmeve u vra edhe fëmija Idriz Ramadan Krasniqi, në qendër të fshatit Kushtrim.

Forcat serbe vazhduan sulmet kundër pozicioneve të UÇK-së, me synimin për të eliminuar luftëtarët dhe për të dobësuar qëndresën e tyre, por këto sulme nuk arritën rezultatet e synuara.

Më 28 korrik 1998, ranë në pritë të forcave serbe 43 luftëtar të UÇK-së në Buçe dhe Brezne të Opojës gjatë luftimeve bien heroikishtë Bemir Memaj e Nexhat Fanaj ndëra plagosen Ismet Zymberaj, Sami Berisha , Albrin Krasniqi e Shasivar Ajazaj.

Më 15 gusht 1998, komandanti Remzi Ademaj, i cili shoqërohej nga Heroi i Kombit, Xhevat Berisha, gjatë kthimit nga Shtabi i Përgjithshëm, ra në pritë të forcave serbe në udhëkryqin e Nashecit. Remzi Ademaj ra heroikisht, ndërsa u olagosën rënd Shkukri Qunaj e Sami Sahiti ndërsa Xhevat Berisha mori njërin nga të plagosurin Shukrin dhe arritën të çanin pritën, duke menduar se edhe Samiu ka ndërru jetë si Remziu.

Më 16 gusht 1998, në Malësinë e Vrrinit, Remzi Ademaj-Petriti u varros me nderime të larta ushtarake. Para varrit të tij, ushtarët e UÇK-së u betuan se do ta vazhdonin luftën për lirinë e Kosovës deri në fund.

Shtabi i Brigadës 125, që tashmë udhëhiqej nga luftëtari Ekrem Rexha-Drini, mori vendime të rëndësishme për shtrirjen e UÇK-së edhe në rajonin e Opojës.

Më 31 gusht 1998, forcat serbe rrethuan me makineri të rëndë luftarake tetë fshatrat e komunës së Prizrenit në rajonin e Vrrinit. Në orët e hershme të mëngjesit të 1 shtatorit filloi një nga betejat më të mëdha të zhvilluara në këtë komunë.

Luftimet zgjatën katër ditë rresht në të gjitha vijat e frontit. Pas një qëndrese të ashpër përballë makinerisë së rëndë ushtarake dhe mijëra forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe, ranë 27 dëshmorë. Në mesin e tyre ishin komandanti i Zonës së Kushtrimit të Zonës (ZKZ), Xhevat Berisha, komandanti i Policisë Ushtarake, Selajdin Berisha, komandanti i Njësisë Speciale, Agim Shala, dhe shumë luftëtarë të tjerë të dëshmuar.

Gjatë kësaj beteje, forcat serbe shkatërruan tërësisht katër fshatra me artileri të rëndë dhe këmbësori, ndërsa katër të tjerë i dëmtuan pjesërisht. Po ashtu, vranë më shumë se 20 civilë, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë.

Zafiri dhe njësiti i tij qëndruan të pathyeshëm në malet e Billushës deri në përfundim të betejës. Pasi u njoftua për rënien e shumë shokëve në vijat e frontit, ai u tërhoq drejt fshatit Kobajë. Atje u takua me disa anëtarë të Shtabit të Brigadës 125, me të cilët analizoi zhvillimet e betejës dhe mori pjesë në vendimmarrjen për vazhdimin e luftës.

Përgatitjet për vazhdimin e luftës dhe thyerja e kufirit

Pas betejës së Vrrinit, Zafiri qëndroi për një periudhë në Shqipëri. Një pjesë e bashkëluftëtarëve të tij zhvilluan përgatitje intensive me ushtarakë me përvojë, të cilët Gjeneral Kudusi Lama i vuri në dispozicion të UÇK-së. Njësiti u përgatit për zhvillimin e luftës guerile. Në mesin e luftëtarëve ishte edhe Dëshmori i Kombit, Hysen Rexhepi.

Gjatë kësaj periudhe, Zafir Berisha studioi metodat e luftës guerile vietnameze dhe tri shtyllat bazë të luftës së Ernesto Che Guevarës, të cilat synonte t’i zbatonte duke i përshtatur me kushtet dhe rrethanat e luftës në Kosovë.

Rënia e Heroit të Kombit, Mujë Krasniqi, dhe e shumë dëshmorëve të tjerë në Pashtrik, në dhjetor të vitit 1998, si dhe ngjarja tragjike e janarit 1999 në Rugovë të Hasit, e shtuan nevojën për gjetjen e shtigjeve të reja për kalimin e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Për këtë qëllim, Zafiri hulumtoi për një kohë të gjatë kanalin e mëparshëm në bjeshkët e Koretnikut dhe në Pikllimë.

Për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe borës së madhe, ai qëndroi për një kohë të gjatë duke vëzhguar kufirin. Pas disa përpjekjeve, në fillim të marsit 1999, së bashku me shokët e tij, kaloi kufirin dhe hyri në Kosovë. Kalimi u krye në kushte jashtëzakonisht të vështira, në një zonë të minuar, me borë mbi dy metra, e cila mbulonte minat e vendosura nga forcat serbe.

Pavarësisht rrezikut për jetën e tij dhe të bashkëluftëtarëve, Zafiri vendosi të vazhdonte.

Edhe pse disa miq (Feti Hasani) e këshilluan se koha nuk ishte e përshtatshme, për shkak të zhvillimeve politike në Konferencën e Rambujesë, ai u përgjigj:

“Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Konferencën e Rambujesë, unë, gjallë a vdekur, në Kosovë do të hyj.”

Luftimet e vitit 1999 dhe çlirimi i Kosovës

Më 11 mars 1999, në kohën kur Zafiri po kthehej në rajonin e Prizrenit, forcat serbe ndërmorën një ofensivë të ashpër kundër njësive të Brigadës 125 të UÇK-së në Jeshkovë. Gjatë luftimeve ra heroikisht njëri nga bashkëluftëtarët e ditëve të para të Zafirit, Hysen Rexhepi, së bashku me dhjetë luftëtarë të tjerë të UÇK-së.

Zafiri e shndërroi dhimbjen për humbjen e bashkëluftëtarëve në motiv për vazhdimin e luftës. Së bashku me njësitin e tij, tashmë të përgatitur, punoi për riorganizimin e njësive të UÇK-së në Rajonin e Vërrinit.

Më 24 mars 1999, ditën kur NATO-ja filloi bombardimet kundër forcave serbe, Zafiri ndodhej në lagjen Tusuz të Prizrenit, ku përmes Besnik Berishës, Hafiz Thaqit e Arsim Pulaj pritejvtë takohej me Samidin Xhezairin-Hoxha. Në ato momente dramatike për qytetarët dhe për Kosovën, ai doli nëpër lagje dhe bisedoi me banorët, duke u dhënë mbështetje dhe duke u shpjeguar se fillimi i bombardimeve shënonte fillimin e fundit të regjimit serb në Kosovë.

Deportimi masiv i shqiptarëve drejt Shqipërisë dhe masakrat që po kryheshin në tërë Kosovën, veçanërisht në Anadrini, i intensifikuan përpjekjet e Zafirit dhe të bashkëluftëtarëve të tij për t’i dhënë goditjen përfundimtare forcave serbe.

Në një nga faqet e ditarit të tij të luftës, Zafiri e përshkruan 28 marsin 1999 si njërën nga ditët më të rënda për luftëtarët e lirisë. Atë ditë, në mëngjesin e Bajramit, mijëra qytetarë të komunës së Prizrenit u deportuan me dhunë drejt Shqipërisë, nën kërcënimin e vazhdueshëm të forcave policore dhe ushtarake serbe.

Gjatë lëvizjeve nëpër fshatrat e Vërrinit, Zafiri dhe shokët e tij gjetën në shumë shtëpi sofra të shtruara për festën e Bajramit, por pa njerëz. Këto pamje ishin tronditëse për luftëtarët, ndërsa ua shtonin bindjen se lufta duhej të vazhdonte deri në çlirimin e Kosovës.

Në këto rrethana të reja, njësitet e UÇK-së zhvillonin luftë guerile në terren, ndërsa nga ajri vepronte aviacioni i NATO-s.

Gjatë muajve mars, prill, maj dhe në fillim të qershorit 1999, njësitet e UÇK-së në rajonin e Vërrinit, tashmë të organizuara në dy grupe, njëri nën udhëheqjen e Zafirit dhe tjetri nën udhëheqjen e Samedin Xhezahirit-Hoxha, ndërmorën aksione guerile kundër forcave policore dhe ushtarake serbe.

Edhe pse ishte i lënduar, Zafiri nuk i ndali sulmet së bashku me bashkëluftëtarët e tij. Në pamundësi për t’u përballur me sukses me sulmet e UÇK-së, forcat serbe u hakmorën ndaj popullatës civile. Fillimisht, masakra ndodhi në Hoqë të Qytetit, ndërsa më 26 maj 1999 u masakruan banorët e lagjes Tusuz.

Aksionet e suksesshme të njësive të UÇK-së dhe bombardimet e NATO-s i dobësuan gjithnjë e më shumë pozicionet e forcave serbe.

Në fillim të qershorit 1999, komandanti i Brigadës 125 Nehat Basha kaloi nga malet e Kabashit në zonën e Vërrinit për të bashkërenduar operacionet me dy grupet guerile që vepronin në këtë rajon.

Më 10 qershor 1999, pas pranimit nga Millosheviqi të kapitullimit dhe largimit të forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova, flamuri shqiptar valoi fillimishtë në xhamin e Malësis të Vërrinit dhe pastaj në malet e Vërrinit.

Një pjesë e ushtarëve të UÇK-së tashmë kishin hyrë në disa lagje të Prizrenit, ndërsa Zafiri dhe bashkëluftëtarët e tij merreshin me çminimin e shtëpive nëpër fshatrat e Vërrinit, të cilat ishin minuar nga forcat serbe gjatë tërheqjes.

Më 12 qershor 1999, rreth mesnatës, Prizreni filloi të merrte frymë lirshëm. Forcat e UÇK-së dhe të NATO-s tashmë kontrollonin qytetin, ndërsa qytetarët nisën festimet për çlirimin.

Angazhimi pas luftës dhe kalimi në jetën politike

Që në ditët e para pas çlirimit, Zafir Berishën e pritën sfida të reja. Në cilësinë e shefit të Shtabit të Brigadës 125, ai u angazhua në procesin e transformimit të UÇK-së në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK).

Detyrën e shefit të Shtabit të Brigadës 125 e ushtroi deri më 15 shtator 1999, kur u demobilizua, duke ia lënë zhvillimin e mëtejshëm të TMK-së profesionistëve.

Megjithatë, Zafiri nuk mund të qëndronte indiferent ndaj zhvillimeve politike dhe socio-ekonomike në Kosovë, veçanërisht ndaj politikave të UNMIK-ut, të cilat ai i konsideronte të dëmshme për interesat e vendit.

I nxitur nga situata e rënduar politike dhe e sigurisë, si dhe nga përcaktimi i tij i hershëm për një Kosovë të lirë e demokratike, me mbështetjen e qytetarëve të Prizrenit, organizoi protesta dhe demonstrata të shumta e masive.

Ai shprehu publikisht pakënaqësitë për çështjen e pazgjidhur të Mitrovicës, organizoi mobilizime në mbështetje të luftës së UÇPMB-së në Kosovën Lindore dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, si dhe në mbështetje të bashkëluftëtarëve të UÇK-së, të arrestuar nga UNMIK-u nën dyshimet për krime lufte.

Për vite me radhë, me mbështetjen e shumë qytetarëve, organizoi protesta edhe kundër drejtuesve të pushtetit lokal të kohës në Prizren, të cilët kundërshtonin vendosjen e shtatoreve të dy komandantëve të UÇK-së, Xhevat Berisha dhe Ismet Jashari-Kumanova.

Për shkak të kundërshtimit publik të politikave të UNMIK-ut, të cilat ai i vlerësonte si të dëmshme për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj, Zafir Berisha ishte vazhdimisht në shënjestër të policisë së UNMIK-ut. Disa herë u arrestua, ndërsa iu bastisën shtëpia dhe zyra e punës.

Pavarësisht shantazheve dhe kërcënimeve, ai nuk u tërhoq nga përcaktimi i tij për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës. Sipas biografisë, ai ishte ndër personalitetet publike ndaj të cilëve regjimi i UNMIK-ut vendosi kufizime të lëvizjes nëpër qytet, por as kjo nuk e zmbrapsi nga angazhimi i tij politik.

Angazhimi në institucionet publike dhe në partitë politike

Zafir Berisha gëzonte mbështetje të gjerë nga qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës.

Gjatë periudhave 2000–2007, ai shërbeu si këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit. Në vitet 2007–2010 u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ishte pjesë e legjislaturës që, më 17 shkurt 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.

2014-2019 ishe përsëri deputetë i Kuvendit të Kosovës, ndërsa 2019-2020 zv.munistër inë MPB.

Pas luftës, Zafiri qëndroi vazhdimisht pranë familjeve të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarëve të tij. U angazhua drejtpërdrejt për ngritjen e përmendoreve në shumë fusha beteje të UÇK-së, mbajti raporte të ngushta me organizata të ndryshme joqeveritare dhe ligjëroi për tema që lidhen me luftën çlirimtare, situatën e sigurisë, zhvillimet politike dhe gjendjen socio-ekonomike në Kosovë.

Përmes fjalimeve publike, intervistave dhe shkrimeve autoriale, ai përcolli mesazhe për qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë, duke shpalosur qëndrimet e tij politike për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon.

Gjatë angazhimit në jetën politike të Prizrenit dhe të Kosovës, Zafir Berisha u pozicionua në mbrojtje të kërkesave politike dhe ekonomike të qytetarëve. Ai kundërshtoi dukuritë që i konsideronte të dëmshme për shoqërinë dhe institucionet e Kosovës dhe, sipas biografisë, nuk ngurroi t’i shprehte publikisht qëndrimet e tij, edhe kur përballej me presione nga qarqe të ndryshme politike.

Zafir Berisha ishte ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prizren. Për shumë vite ishte anëtar i Kryesisë së Degës, sekretar dhe, për pesë vjet, kryetar i saj.

Gjatë kohës kur e udhëhoqi këtë subjekt politik në Prizren, ai u shqua për një mënyrë drejtimi që e konsideronte transparente dhe të orientuar drejt interesave të qytetarëve. Nën udhëheqjen e tij, në vitin 2007, PDK-ja fitoi zgjedhjet lokale në Prizren, u bë partia e parë dhe mori drejtimin e komunës.

Aktualisht si i papunë, krahas përkushtimit ndaj familjes dhe shoqërisë, Zafir Berisha udhëheq partinë politike “Bashkimi Demokratik”, me seli në Prizren./QendraPress/