Çaste poetike me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI

Përtej plagës, jam dritë që s’shuhet
———————————————–
Të jesh, jo vetëm njeri, por shpirt
që nuk pranon të shuhet,
një frymë që s’ka mësuar të dorëzohet
edhe kur qielli është pa yje e toka pa udhë.
Kam folur me heshtjen, kur fjala më kishte tradhtuar,
i kam dhënë zemrës një arsye të rrahë
kur edhe pasqyrat nuk më njihnin më.
Kam qenë vetë stuhia që më thërrmonte,
kam qenë edhe dora që më mbante gjallë.
Në grykën e humbjes kam zbuluar fuqinë
të rilind, pa zë, pa lavdi, veç me veten.
I kam falur ata që deshën të më thyejnë
sepse më mësuan si të bëhem e pathyeshme.
Kam qarë nga brenda, pa pikë zhurme,
e bota kurrë s’e kuptoi se sa shumë
mbaja brenda meje.
E pathyeshme…
është të jesh asgjë e gjithçka në të njëjtën kohë,
të ndërtosh veten mbi rrënojat e vetvetes
e të ecësh,
sado plagë të ketë në hapat e tu.
/QendraPress/