Marrëdhënia e çthurur kushtetutë – shtetarë(Kosova nuk ka krizë kushtetuese, ajo ka krizë të ndërgjegjes):-Shkruan;Hisen BERISHA,analistë politik.

Nuk na ka mbetur alternativë tjetër veçse ta shkruajm Kushtetutën në shpinën e një kulshedre, tigri apo ndonjë maceje të egër, që, sa herë e shkelim, të na hidhet me dhëmb e kthetra në fytyrë.
Por jo, në vend të frikës e respektit ndaj saj, shtetarët tanë e kanë shndërruar Kushtetutën në një “llastik” të Ramiz Lladrovcit, që mund ta tërheqin sa dhe si t’iu teket.
Gjatë qeverisjes së fundit, kur po kalkulonin vjedhjen e buxhetit për blerjen e librave, vetë ministrja e Arsimit doli në publik dhe tha me plot gojë absurditetin diletantesk: “U detyrova të shkel Kushtetutën për ta mbrojtur ligjin.”
Kjo fjali do duhej të rrijë në tekstet shkollore, si shembull i përkryer i asaj çfarë nuk duhet bërë.
Por jo, te ne ajo nuk u kalua vetëm si ndonjë keqkuptim apo lapsus lingue por u kthye në standard recidiv të qeverisjes.
Sot, absurditetit të bllokadës politike, për konstituimin e Kuvendit, iu shtua edhe më shumë cinizëm institucional.
Në “vazhdimin e 17-të” të seancës konstituive, poshtrimit të kushtetutës dhe shtetit u dëgjua edhe një term që vetëm në Kosovë i jepet kuptim politik.
Dikush nga radhet e mazhorancës propozoi që “t’i mbajmë vazhdimet e seancës çdo javë.” Si të ishte kjo ndonjë kurs joge apo trajnim ideologjik për propagandë, e jo një proces kushtetues që përcakton legjitimitetin e institucioneve.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, harruan ose më keq, nuk e dinin fare, se mbajtja e vazhdimeve çdo 48 orë nuk është ndonjë vendim vullnetar i anëtarëve të Kuvendit, por një mekanizëm imunitar i vetë Kushtetutës, për të garantuar funksionalitetin dhe vijimësinë e institucit të Kuvendit.
Ky mekanizëm nuk u është dhënë si dhuratë, por si detyrim ndaj sistemit demokratik e rendit kushtetues.
Soji i ligjvënësve që dominojnë Kuvendit sot, po tregojnë se jo vetëm që nuk e njohin e respektojnë Kushtetutën, por që janë plotësisht jashtë sistemit të vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti dhe patriotizmi shtetëror e kushtetues, si: nderi, detyra, lojaliteti, integriteti, niveli profesional, etj.
Këta janë bërë mjeshtra të ngatërrimit të fjalëve për të kamufluar injorancën dhe përçmimin që kanë ndaj ligjit themeltar të vendit.
Kosova nuk ka krizë kushtetuese, ajo ka krizë të ndërgjegjes. Dhe ndërgjegjja nuk riparohet me amendamente, por me largimin e atyre që kanë harruar se Kushtetuta nuk është kartë bixhozi për pazare politike, por themeli i vetëm mbi të cilin mund të ndërtohet një shtet normal.