OVL-UÇK: Deklarata e Kurtit për Thaçin dhe Veselin, jashtëzakonisht e papërgjegjshme

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se deklarata e mbrëmshme e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për Hashim Thaçin e Kadri Veselin është “dëshmi e frikës nga drejtësia dhe një sulm i papërgjegjshëm ndaj vlerave të luftës”.

OVL-UÇK-ja tha në një reagim në Facebook se e dënon deklaratën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e quan të papërgjegjshëm dhe “politikisht të rrezikshëm”.

“Deklarata e Albin Kurtit për Thaçin e Veselin, dëshmi e frikës nga drejtësia dhe një sulm i papërgjegjshëm ndaj vlerave të luftës. Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, dënojmë me ashpërsi deklaratën e fundit të ish Kryeministrit Albin Kurti, i cili pretendon se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, po japin “instruksione politike nga burgu në Hagë”. Ky deklarim publik është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm dhe politikisht i rrezikshëm, veçanërisht në një kohë kur ndaj Thaçit dhe të tjerëve është ngritur një aktakuzë e re, që përfshin pretendime për frikësim, pengim dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve, nëpërmjet komunikimeve të mundshme nga institucioni i paraburgimit”, thuhet në reagim.

Sipas OVL-UÇK-së, kështu, Kurti “mbështet publikisht një narrativë që mund të përdoret drejtpërdrejt në dëm të tyre, duke i dhënë jehonë të panevojshme një çështjeje që është tashmë nën vlerësim gjyqësor ndërkombëtar”.

“Z. Kurti, kur s’mund të ndihmosh, të paktën mos i dëmto! Gjatë këtyre pesë viteve paraburgim të zgjatur, asnjëherë nuk ke bërë një vizitë, as një fjalë nuk ke thënë për keqtrajtimet e tyre, ndonëse e gjithë Kosova dhe personalitete të shumta ndërkombëtare kanë reaguar për padrejtësitë që po u bëhen. Në vend që të kryesh detyrën tënde si Kryeministër për të mbrojtur qytetarët e vendit, ti zgjedh t’i godasësh ata në momentin më të ndjeshëm të betejës së tyre për drejtësi”, thuhet në reagim.

Organizata e Veteranëve të Luftës thotë se Kurti ka frikë nga kthimi i ish krerëve të UÇK-së në Kosovë si të pafajshëm.

“Kjo frikë që ke ndaj ish krerëve të UÇK-së, se mund të kthehen të pafajshëm dhe me dinjitet në vend, nuk është vetëm e jotja, por është frika që ndajnë edhe armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve dhe të së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare. Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, do të qëndrojmë në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë, të vlerave të saj, dhe të secilit që dha gjithçka për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Nuk do të heshtim përballë gjuhës që përçmon dhe rrezikon të vërtetën tonë historike”, thuhet në reagim.