Çaste poetike me poeten:-Shyrete DEMAJ

Rrugët e ikjes

————————

Rrugët e ikjes

m’i shtruan kalldrëm varfërie.

Ndjesinë e lidhjes së gjakut

e ftohën bulevardet vezulluese të botës.

Ëndrrat na i vodhën gradaçelat,

e kujtimet e fëmijërisë

mbetën në rrjetë merimange,

thurrur qosheve të shtëpisë vjetër.

Pragut, u tha mani i moçëm në pritje.

Ugraden e mbuluan ferrat e braktisjes.

Fotografia e babës,

ngrirë në mermerin e varrit

me sytë mbushur lot,

kqyr kah rruga,

të shohë kthimin që ka humbur rrugën… /QendraPress