Çaste poetike me poeten:-Valbona HADRI

KUR TERRI KAPLON DITËN

————————————–

Kur terri kaplon ditën,

njerëzimit nuk i vjen gjumi,

por mendimi.

mbetet zgjuar përballë misterit

të një ndodhie të papritur,

duke pyetur veten:

Pse ndodhi?

Si ndodhi?

Kush e solli këtë natë

në mes të ditës?

Dhe kur nata zgjat më shumë

se sa durimi i njeriut,

secili bëhet më i mençur se i mençuri,

secili ka një përgjigje,

një gjykim,

një të vërtetë të gatshme

për atë që nuk e njeh

dhe për atë që nuk është në dorën e tij.

Kështu ka qenë gjithmonë:

njeriu ka frikë nga e panjohura

dhe për ta mundur frikën,

i vë asaj një emër,

një fajtor,

një shpjegim.

Por koha na mëson

se jo çdo mister zgjidhet me fjalë,

jo çdo e vërtetë lind në çast,

dhe jo çdo heshtje është bosh.

Në ditët tona,

kur lajmi vrapon më shpejt se e vërteta,

kur një mendim kthehet në gjykim

dhe një hamendje në fakt

ndoshta mençuria më e madhe

është të dimë të ndalemi.

Të mos gjykojmë para se të dimë.

Të mos flasim para se të kuptojmë.

Të mos kërkojmë përgjigje

vetëm për të qetësuar padurimin tonë.

Sepse terri nuk është gjithmonë fundi i dritës.

Ndonjëherë është vetëm çasti

kur sytë tanë mësohen me errësirën

dhe shpirti fillon të shohë

atë që mendja, në ngutje,

nuk mund ta shohë.

Dhe ndoshta,

përballë misterit të një ndodhie të papritur,

pyetja më e mençur nuk është vetëm ,,Pse ndodhi?”

Por edhe çfarë po na mëson kjo që ndodhi?..

/QendraPress/