Çaste poetike me poeten:-Principesa SOFIA

Një dashuri që sfidoi Boten”
—————————————-
Pasthirmat e Shpirtit)
(Detikim)
Jeta ime deri atëherë kishte qenë bardh e zi…
një film i thyer, ku ngjyrat mungonin,
ku shpresa dukej se kishte ikur përgjithmonë.
Derisa u shfaqe ti… si një dritë që hyn
papritur nga një dritare e harruar.
Ti, djali me hijeshi, me flokët kaçurrela
që vallëzonin mbi ballin tënd,
me sytë që nuk shihnin veç trupin tim,
por depërtonin drejt shpirtit tim.
Qerpikët e tu të gjatë, sikur t’i
kishte pikturuar një engjëll,
më shikonin me një butësi që nuk kisha
përjetuar kurrë më parë.
Unë, një grua e plagosur nga
një martesë e dështuar,
me zemër të shkatërruar,
me besim të humbur,
s’kisha më sy për askënd.
Mbeta vetëm me vajzën e vogël në krahë,
ndërsa djemtë mi i mori jeta, i mori i ati…
dhe shpirti im u gjunjëzua përsëri.
Por ti nuk u largove kurrë.
Çdo ditë vije aty ku unë punoja,
më shihje me dashuri, me durim,
si të doje t’i shëroje një
nga një plagët e mia.
Kur të pyeta për moshën,
nuk më the të vërtetën –
unë mendova se ishe më i madh, më burrë –
por nuk kishte rëndësi,
sepse burrëri është shpirt, jo numra.
Pak nga pak,
me ngulm, me zemër, me ngrohtësi,
arrite të fitosh besimin tim.
Ti u bëre mik, u bëre shpatulla ku mbështetesha,
u bëre pjesë e problemeve të mia,
u bëre loti im, buzëqeshja ime, shpresa ime.
Nga dhimbja dhe nga malli,
lindi historia jonë…
një dashuri e vërtetë,
një dashuri që u përfol, që u gjykua,
sepse ishe një djalë i ri
dhe unë një grua me fëmijë, me vite më tepër.
Por ç’rëndësi kishin fjalët e botës?
Kur dashuria është e pastër,
ajo nuk pyet për vite, nuk pyet për paragjykime.
Ne jetonim si në përralla.
Udhëtoje, më merrje me vete,
më bëje të ndihesha sërish e gjallë.
Çdo ditë e më shumë të doja,
edhe pse qetësia shpesh na mungonte.
Erdhi dita jonë e shenjtë,
20 gushti… një premtim i pashkruar mes nesh.
Dhe pas pak, më 30 gusht 2002,
Zoti na dha dhuratën më të bukur:
princin tonë të vogël.
Një engjëll i lindur nga dashuria,
që mbart emrin dhe fytyrën tënde,
një pasqyrë e asaj çfarë ishim ne të dy bashkë.
Na gjykuan,
na rënduan me fjalë të ashpra,
por dashuria jonë i sfidoi të gjitha.
Sepse kur ndjenjat janë të vërteta,
asgjë nuk i ndal,
asnjë planet, asnjë uragan, asnjë gjykim.
Ne u deshëm përtej kohës, përtej botës,
dhe ky është triumfi më i madh i shpirtit tonë.
/QendraPress/