Përkujtohet 4-vjeçari Arlind Kryeziu në 27-vjetorin e vrasjes nga forcat serbe

Të hënën janë bërë 27 vjet nga vrasja e Arlind Kryeziut, i cili ishte vetëm 4-vjeçar. Babai i tij, Avdi Kryeziu, ka përkujtuar me një mesazh emocionues djalin e tij pikërisht në ditën e vrasjes, duke bërë me dije se Arlindi sot do të ishte 31-vjeçar. “Sot, në 27-vjetorin e rënies së birit tim ARLINDIT 4 vjeçar, zemra na dhemb si ditën e parë! Më 1 shtator 98 ai u vra mizorisht nga forcat barbare serbe, pa faj, pa mëshirë – një engjëll që sapo kishte nisur të njihte jetën, i cili sot do të ishte 31-vjeçar dhe një krah i fortë i imi dhe familjes! Arlindi nuk pati rast të rritet, të ëndërrojë, por u bë simbol i dhimbjes time si prind dhe gjithë familjes. Atë ditë të kobshme u plagos rëndë dhe me pasoja të përhershme edhe bashkëshortja ime. Prehu në parajsë shpirti i babit, asnjëherë nuk do të harrohesh!”, ka shkruar ai në “Facebook”.