Çaste poetike me poetin;-Luan MEMA

Vjeshtë e Dashuruar
———————–
Kjo vjeshtë e dytë, pa ty, është zbehur,
ka humbur të gjelbrën dhe bukurinë.
Një klorofil shkon — një tjetër vjen,
si ngjyrat që kërkojnë dashurinë.
Ky diell tetori, pa ty, është plakur,
të trishtë dritën ai e derdh.
Një rreze shkon — tjetra vjen vakur,
oh, ikin, ikin, pa flakërim.
Pa ty s’lulëzon as trëndafili,
pa dritën tënde argjendore;
në çdo gonxhe s’po shoh më
petalet e bukura engjëllore.
S’po shoh më sytë që ndeznin natën,
dhe digjnin butë, por jo si zjarr —
si atëherë, në kohën e dashurisë,
kur më shikoje pa u ndarë.
Një shpirt që s’di më të ftohet,
u dogj, o flakë, u flakërua!
Dhe aty, në ëndrra të qeta,
më shfaqesh ti — e dashuruar.
O ti, moj vjeshtë argjendore,
a mund ta kthehesh atë gjelbërim?
Oh, po të jetë e vërtetë,
do ftoja miken plot shkëlqim.
Nga malli i madh i dashurisë
do derdh në ndjenja vargun tim;
se në shpirt të kam, ta dish —
dhe do shuaj zjarrin pa mbarim.
/QendraPress/