Fryma poetike e së dielës me poetin:-Fatmir TERZIU

SHQIPONJA

—————————

Celulari pushoi. Fjala e fundit

një përzierje puthjesh të largëta,

gjerbje loti,

po mbaroja draftin e plotë të studimit

dhe e nesërmja, sikurse dëbora,

ishte koha,

sprova e provimit.

Ime shoqe ndiqte me kujdes qepallat e fëmijëve,

po korrigjonte punimet e nxënësve të saj të rrinj,

ndërsa mendja i thurte modele për ditën e nesërme

mbi një album me fotografi,

(shpirtrat dhe identitetet kanë një lidhje të epërme)

herë bardhë e zi,

herë ngjyra – ngjyra.

Nata ra. Duart e mia ngrinë

duke prekur fytyra

nga koha e Gentit, tek Teuta

e mbretërit si mbretër në momente të tilla

vinin e iknin nëpër hendeqe të ngushta,

kolona të fryra.

Dilte një panoramë e kuqe

në hapësirën e mbetur

dhe shtriqej mbi tryezë

duke u përpjekur

të kapej nga dritarja e mbyllur drejt

mbi diçka të heshtur

që fluturoi e qëndroi krahëhapur mbi derë.

Kthetrat bënin lëvizje të shpejta.

ato ishin të zeza,

si pjesa e brendshme e kokës sime atëherë

që kishte hyrë mbi atë studim me të thella,

ndërsa fap, tashmë e kisha përballë,

e rrënjët po bëheshin një, nga thela-thela.

Faqet që ktheva,

ma pikturuan babanë,

tingëllonin si krahë.

„Shpirti është një shqiponjë,“ tha im Atë,

zbriti dhe më puthi në ballë,

kaq e pat,

ëndrra u bë e vrullshme: letër dhe laps

u pikturua diçka e rrethuar me thekë,

si një piedestal i lartë,

me zemrën time të shpuar dhe duke rrjedhur gjak,

(po skuqej dëbora)

në rrënjë, në degë, derin në majën e fundit lart

mbahej fort, dykrenore, Shqiponja.

Zgjimi ishte i bardhë!

@followers

/QendraPress/