Çaste poetike me poetin;- Ymret RESHITI

Rilind nga hiri yt
———————-
Në një çast,
shpirti m’u thye si qelq,
në mijëra thërmija jete.
Një mjegull dyshimi
ma mbështolli mendjen,
sa vetën time t’mos e shihja.
Dhimbja më dogji deri në palcë,
derisa nga flaka e saj
ndërtova një flakadan
që ndriçoi brendësinë time.
Kuptova se shërimi nuk vjen
si prekje e butë nga jashtë,
por si një rrufe që çan me vrull
errësirën brenda.
I dhashë vetes falje
dhe pashë zinxhirët e shpirtit tim
që këputeshin një nga një.
U drodha fort, si një lis i vjetër
kur tokës ia jep të gjitha gjethet,
dhe u ndjeva i lehtësuar nga një barrë
që e mbaja për botën, jo për veten.
Përsëri u ngrita,
jo nga forca e trupit,
por nga ajo fuqi e brendshme
në të cilën s’kisha besuar
më parë.
/QendraPress/