Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Shqipe BYTYQI

FJALA E ANTON ÇETTËS
——————————-
Atë ditë thanë
Po vjen Çeta e Pajtimit
i prita para derës, si gur
se fjalët e burrave t’mëdhaj
duhet me i pa me sy t’ulun
Erdhën bashkë, djem e vajza
me fjalë që s’peshohen me ar
veç me gjak
n’krye, ai Burrë Plak
me za, që i kish mbërri larg
Anton, i thanë
“Nuk falim se harrojmë
por se duem, kombin mi bashkue”
nisi ai
E mua
që moti kohë
gjaku syve m’kish ra
e zemrën mshelë e kisha
si derën e kullës
ndjeva, që u ça diçka n’krahnuer
dicka prej guri
që n’zemër kish zan vend
Fjala e tij ke dritë
ndoshta, shenjë perëndie
njeriu mundet, vedit mi dal para
e mendjen mi thye
Prej asaj dite
s’e kam pa pushkën
as nuk e kërkova
veç i kam ruejtë fjalët
e Plakut Urtë
për nipat e nipave
si thërrime drite
/QendraPress/